Hekuran Billa i ekzekutuar mbrëmjen e të shtunës në Tiranë u lirua nga burgu në 22 shkurt 2019 nga Gjykata e Krujës.
40-vjeçari vuante dënimin për vrasje në burgun e Fushë-Krujës pas ekstradimit nga Anglia ku ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve në vitin 2006. Gjykata shqiptare e njohu këtë vendim duke e dënuar përfundimisht me 25 vite heqje lirie.
Por Gjykata e Krujës vendos lirimin e tij me kusht pasi sipas llogarive ai kishte vuajtur 19 vite e 5 muaj burg, duke kryer ¾ e dënimit, një nga kriteret kryesore për të përfituar.
Gjithashtu, në vendim gjykatësja Enkelejda Hoxha e cila ka liruar një sërë personazhesh të njohura si Indrit Dokle, është bazuar tek raporti i burgut të Fushë-Krujës. Sipas këtyre të dhënave ai ka sjellje mjaft të mirë dhe është penduar për krimin.
Një raport pozitiv për Billën ka sjellë edhe shërbimi i provës sipas të cilit ai mund të riintegrohet në shoqëri.
Një tjetër arsye që 40-vjeçari përfitoi nga lirimi me kusht ishte gjendja e rëndë ekonomike, pasi të ardhurat e vetme janë pensioni i prindërve të tij, i cili nuk mjaftonte as për ilaçet e tyre. Për këtë Billa kishte gjetur një punë si korrier në një studio ligjore.
Interesant është qëndrimi i prokurorisë në këtë çështje, pasi e ka lënë në çmim të gjykatës vendimin, duke qenë se të gjitha raportet e sjella për Billën ishin pozitive. Një verifikim për këtë rast ka nisur edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.