Dy banesa në të njëjtën strehë janë përfshirë nga flakët pasditen e djeshme në fshatin Kukur të Gramshit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 të ditës së djeshme. Flakët e zjarrit kanë shkrumbuar të dy banesat.
Gjyshi i dy familjeve, Zaim Meci tregon se si nxori mes flakëve mbesën 8 vjeçe, e cila sapo ishte kthyer nga shkolla.
“Isha me bagëti aty afër banesës kur pashë që në çatinë e shtëpisë dilnin shtëllunga tymi e flakë, shkova aty dhe pashë që njerëz me kova uji mundoheshin të fiknin flakët, pjesëtarët e familjes time që qanin e ulërinin ishte një tmerr. Dikush më tha që është një fëmijë brenda, nuk kuptoheshin të qarat e mbesës brenda, jam lagur me ujë e me një lëkurë bagëtie u futa mes flakëve. Shkova tek dhoma ku mbesa qante e strukur nën një tavolinë buke, as vet se di sesi dola. Falenderoj Zotin që mbesa shpëtoi”, ka rrëfyer gjyshi hero.
Më tej, në rrëfimin tejet prekës të tij, gjyshi bën thirrje për ndihmë pasi kushtet në të cilat gjenden janë tejet të vështira për të mbijetuar.
“Gjithçka u shkrumbua, vetëm me rrobat e trupit kemi ngelur, as bukë për vaktin e radhës nuk kemi. Do i lutesha çdokujt të na ndihmonin nëse kanë mundësi edhe për rroba trupi sido që të jenë”, apelon ai.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike në çatinë e ndërtesës, e favorizuar nga era, gjë që ka bërë që për pak minuta të shkrumbohet gjithçka.