Fahri Vejuka, gjyshi i Asmer Bilalit ka folur për mediat sot në Shkodër, ndërkohë që po zhvillohet ceremonia mortore e dy vëllezërve Bilali, Astrit dhe Ibrahim.
Ai konfirmoi se nipi i tij, Asmeri, i cili mbahet në burg prej disa muajsh, do të jetë i pranishëm në ceremoninë mortore të të atit dhe xhaxhait të vet.
Vejuka bëri një apel për institucionet, që të gjejnë sa më shpejt vrasësit, ndërsa pati një lutje që nipi i tij, Asmeri të rrijë të paktën dy ditë në shtëpi, për të pritur vizitat.
“Shpresojmë që shteti të gjejë autorët e vrasjes, sepse është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur. Pothuajse është shuar një familje, pas kësaj ngjarjeje dhe institucionet do të bëjnë detyrën e tyre për çfarë ka ndodhur.
Asmer Bilali është djali i Astrit Bilalit dhe është në burg prej disa muajsh. Ai do të jetë vetëm në varrim, por ne kërkojmë që të lihet të paktën dy ditë tek banesa e tij, për të pritur njerëzit, sepse nuk ka askënd.
Vëllai i tij 23 vjeç është shumë i sëmurë dhe nuk është askush tjetër. Shpresojmë që institucionet të vendosin dorën në zemër dhe të na mirëkuptojnë në kërkesën tonë.
I falënderojmë që e kanë lejuar të jetë në varrim, por kërkojmë të qëndrojë pak më gjatë, të paktën dy ditë dhe normalisht me prezencën e policisë. Për të tjerat, shteti të bëjë detyrën dhe nëse ka bërë diçka, mund të dënohet, por sot i kërkojmë ta lejojnë të paktën dy ditë që të qëndrojë, sepse do dalin dy kufoma nga shtëpia jonë”, tha Vejuka para mediave.