Policia e Durrësit ka arrestuar Bahrije Gjunin, gjyshen që rrëmbeu nipin për një javë. Ajo është nën akuzë për rrëmbim personi.
Gjyshja e dorëzoi vetë 3-vjeçarin sot në polici pasi e mbajti një javë. 3-vjeçari tashmë është me nënën e tij.
Lidhur me shkaqet që e shtynë atë për të ndërmarrë këtë veprim, gjyshja tha se ka dashur ta rrisë vetë fëmijën.
“Vendosëm së bashku me Rexhepin ta merrnim nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është i djalit tonë. E kam fëmijën e djalit, nuk i bëj keq. Nuk na e linin ta rrisnim ne ndaj e morëm. Nuk kam bërë krim. Na zëvendëson djalin që na vdiq në aksident. Nusja nuk na e jepte ndaj e mora dhe ika tek të afërmit e mi.”
Gjyshja tregoi dhe arsyet pse e dorëzoi nipin.
“Vendosa për shkak të ndjekjes nga policia, por edhe se një vëlla i im u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim. Ata nuk kanë gisht në këtë ngjarje. Edhe djali im që ndodhet në Belgjikë këmbënguli ta ktheja fëmijën tek nëna e tij.”
57-vjeçarja Gjuni shpjegoi para oficerëve të policisë dhe vendet ku ajo qëndroi për një javë.
“Kur nusja e solli të shtunën që shkoi e mora dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë. Ditën tjetër kam shkuar të Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit, ku qëndruam për një natë tjetër aty. Ditën e tretë shkova te kushërira ime në Kukës. Më pas, pash në lajme që policia po kontrollonte në Kukës e Has dhe kam shkuar në Tiranë, ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme.”
Për ngjarjen më herët u arrestuan gjyshi i të miturit, Rexhep Gjuni dhe kunati i tij Arben Selaj të cilët u lanë në burg nga gjykata e Durrësit.