Gjykata Kushtetuese ka publikuar sot vendimin e plotë për Teatrin Kombëtar, ku e shpalli të papajtueshëm me Kushtetutën procedurën për negocimin dhe lidhje ne kontratës për ndërtimin e godinës së re.
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për t’ia kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës truallin ku ishte ndërtuar godina e shembur. Sipas Gjykatës Kushtetuese kalimi në pronësi nga qeveria tek bashkia duhet bërë me ligj dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave.
“Është vepruar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare”
Gjykata Kushtetuese nuk e shpalli antikushtetuese shembjen e teatrit, duke mos arritur shumicën prej 5 votash.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se ky ligj është në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës, të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar.
Gjykata vëren se në momentin e miratimit të ligjit vënia në dispozicion e sipërfaqes prej 2.100 m2 në pronësi të Bashkisë së Tiranës, nuk është nënshtruar për diskutim paraprak në Këshillin Bashkiak Tiranë. Ligjvënësi edhe pse ka qenë në dijeni se një pjesë e pronës shtetërore mbi të cilën do realizohej projekti i zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar ka qenë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, ka anashkaluar nenin 133, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës, duke ndërhyrë në këtë mënyrë në kompetencat e këtyre organeve vendore, në kundërshtim me parimet e decentralizimit, qeverisjes vendore dhe ndarjes e balancimit të pushteteve .
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin nr. 37/2018, për negocimin dhe lidhjen e kontratës me një palë private për projektimin dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Ligji është miratuar në 5 korrik 2018. U kthye për rishqyrtim nga Meta në 27 korrik 2018, por u miratua sërish pa ndryshime nga Kuvendi.
“Godina e Teatrit Kombëtar me vlera kulturore”
Gjykata Kushtetuese pavarësisht se thekson që “nuk është në kompetencë të saj të analizojë nëse Teatri Kombëtar është apo jo vlerë kulturore kombëtare”, megjithatë, ajo konstaton se ai ka mbartur cilësi emocionale, shpirtërore dhe kulturore të veçanta në historinë e vendit.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se nga dokumentacioni i paraqitur nga palët pjesëmarrëse në gjykimin kushtetues nuk rezulton qartësisht se cilat kritere mungonin që ky objekt të shpallej me vlerë kulturore, si dhe përse nuk ka mbizotëruar nevoja për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të tij.
Në vendim nënvizohet se “ndonëse Kuvendi ka miratuar një ligj me standarde bashkëkohore për trashëgiminë kulturore, në të cilin parashikohet edhe kriteri kohor i vjetërsisë më shumë se 70 vjet, nuk rezulton të jetë bërë verifikimi i interesit kulturor publik për Teatrin Kombëtar, që është një tregues i mungesës së koherencës së veprimeve të organeve shtetërore”.
Godinat e Teatrit Kombëtar janë ndërtuar në vitin 1938, sipas projektit të arkitektit Italian G.B. Ai ka qenë konceptuar si një kompleks rekreativ, në përbërje të të cilit ishte kinoteatri “Savoia” (me 800 vende).
Në kinoteatrin “Savoia” u shfaqën pjesë teatrore dhe për herë të parë në Shqipëri, opera e koncerte të muzikës klasike, por edhe koncerte të muzikës folklorike shqiptare. Në vitin 1945 u dha premiera e parë “Topazi”, e cila shënoi edhe lindjen e të parit teatër profesionist në Shqipëri.
Prej 73 vjetësh kompleksi i godinave ka qenë selia e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, një nga institucionet artistike më të rëndësishme në vend, në të cilin kanë lindur të gjitha institucionet kombëtare të artit skenik dhe edukimit artistik.