Policia greke tha se goditi dy rrjete greko-shqiptare që transportonin nga kufiri shqiptar në territorin grek sasi të mëdha marijuane. Sipas burimeve zyrtare të policisë greke, rasti i parë u shënua në zonën e Atikës ku policia arrestoi shtatë persona mes të cilëve katër shqiptarë, të cilët akuzohen si pjesëtarë të një organizate që importonte nga Shqipëria sasi të mëdha marijuane.
Policia greke tha se ka dokumentuar aktivitetin e secilit pjesëtar në fushën e trafikut dhe shpërndarjes së drogës dhe ka sekuestruar dhjetëra kilogramë marijuanë, vlera monetare dhe automjete.
Ndërsa rasti i dytë, sipas policisë greke, u zbulua në afërsi të kufirit shqiptar në zonën e Filatit. Policia greke tha se dy shtetas, një shqiptar dhe një grek, u bllokuan tek transportonin për në thellësi të territorit grek me një automjet mbi 100 kilogramë marijuanë.
Policia tha se automjeti i përkiste një kompanie private udhëtimesh ndërsa lënda narkotike do të transportohej në Athinë. Greqia vijon të jetë destinacioni i dytë i marijuanës që kultivohet në Shqipëri pas Italisë. Sasi të mëdha marijuane transportohen nga kufiri tokësor shqiptaro-grek dhe më pas shpërndahen kryesisht në ishujt turistikë dhe kryeqytetin grek Athinë.