Bota Goditet klani kriminal në Itali: Arrestohen 20 shqiptarë dhe italianë, sekuestrohen 3...

Goditet klani kriminal në Itali: Arrestohen 20 shqiptarë dhe italianë, sekuestrohen 3 milion euro drogë

Një grup kriminal i trafikut të drogës është shkatërruar në Itali, ku në pranga kanë rënë 22 shtetas, 20 prej të cilëve shqiptarë.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane, sipas të cilave, arrestimet janë kryer në provincat Varese, Milano, Lecco, Bergamo dhe Novara.

Klani shqiptar i trafikut të drogës ishte aktiv në zonat e Varesotto-s së Poshtme dhe Milanezit të Sipërm.

Rreth 80 efektivë të Karabinierëve së bashku me njësitë e qenve kanë dalë në terren që nga agimi i ditës së sotme, 20 dhjetor, për të nxjerrë para drejtësisë 20 shtetas shqiptarë dhe 2 italianë të akuzuar për organizatë kriminale me qëllim trafikimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike.

Operacioni, i kryer nga Karabinierët e Busto Arsizio dhe i koordinuar nga DDA e Milanos dhe Prokuroria e Milanos dhe Busto Arsizio, u emërua “Kthehu”, sepse karakteristikë dalluese e klanit ishte zëvendësimi i vazhdueshëm i atyre që vepronin në zonë me “punëtorë, të ardhur nga Shqipëria”.

Po ashtu mësohet se gjatë operacionit janë sekuestruar 3 milionë euro drogë gati për t’u shitur.

Klani i trafikut të drogës

Është konstatuar ekzistenca e një organizate kriminale të njohur tashmë si e përfshirë në një ngjarje të përgjakshme të ndodhur në nëntor 2016 në Canegrate, në zonën e Legnano. Me atë rast, gjatë një grindjeje me një grup tjetër shqiptar për kontrollin e zonave të trafikut të drogës, dy të rinj u vranë me armë zjarri.

Një nga të arrestuarit gjatë operacionit të sotëm është vëllai i një prej viktimave të atij episodi. Veprimtaria hetimore lindi nga arrestimi në flagrancë i një shtetasi shqiptar, i cili u gjet në posedim të 110 dozave kokainë, me një peshë totale prej 94,2 gram dhe shumën prej 11.950 euro. Aktivitetet e mëvonshme, të kryera si nëpërmjet hetimeve tradicionale ashtu edhe atyre teknike, përveç rindërtimit të një rrjeti të dendur tregtuesish droge që vepronin në zonat e Varesotto-s së poshtme dhe në brendësi të Milanos, bënë të mundur zbulimin e ekzistencës së organizatës kriminale të aftë për tregtimin me pakicë të sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike.

Aksi me Shqipërinë

Shumë prej bashkëpunëtorëve janë të lidhur me njëri-tjetrin nga lidhjet familjare dhe organizata kriminale karakterizohet nga aftësia për të siguruar një qarkullim të vazhdueshëm për tregtuesit e zonës, duke siguruar rotacion të personave që vijnë nga vendi i tyre i origjinës çdo 3 muaj. Thellësia e grupit kriminal vihet në pah edhe nga organizimi i përpiktë i brendshëm, me bashkëpunëtorë të ngarkuar me mbështetjen logjistike në favor të tregtarëve të ardhur nga Shqipëria, për furnizimin dhe transportin e drogës dhe paketimin e dozave.

Logjistika

Në përgjithësi, tre shtëpi janë identifikuar në provincën e Varese, të përdorura ekskluzivisht si “magazinë” për lëndën narkotike dhe një “laborator” për paketimin e dozave. Për më tepër, rezultoi se fakti që disa anëtarë të shoqatës kriminale u ndaluan nuk i pengoi të tjerët që të vazhdojnë, përmes anëtarëve të tyre, të menaxhojnë punët e organizatës. Gjatë fazës hetimore u arrestuan në flagrancë dhe u sekuestruan gjithsej gjashtë persona: 20 kilogramë kokainë, 10 heroinë, 81 kilogramë hashash dhe shuma parash prej 453 mijë eurosh, të cilat në treg do të jepnin rreth 3 milionë euro.