Policia në Ekuador dhe Spanjë ka arrestuar të paktën 30 persona në një operacion të përbashkët si pjesë e një hetimi mbi një organizatë kriminale shqiptare, tha të martën zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit.
Në një konferencë të përbashkët, autoritetet e të dyja vendeve bën të ditur se 18 prej të ndaluarve u arrestuan në Ekuador, ndërsa 12 të tjerët në Spanjë.
Të arrestuarit përfshinin njerëz nga Kolumbia, Argjentina, Kina, Spanja, Ekuadori dhe Shqipëria, tha policia e Ekuadorit, duke shtuar se grupi dyshohet se drejtohej nga një shtetas shqiptar.
Mediat në Ekuador shkruajnë se bëhet fjalë Dritan Gjikën nga Shkodra, i cili kishte hyrë në Ekuador prej vitit 2009.
Në total gjatë këtij operacioni u kryen 57 bastisje në gjashtë provinca të Ekuadorit dhe në katër qytete spanjolle, ndërsa u sekuestruan në vende të ndryshme rreth 2.3 tonë kokainë, 483 mijë dollarë, 10 armë të ndryshme dhe 25 automjete.
Sipas hetimeve që kanë zgjatur afro 2 vite, kjo organizatë kriminale e dedikuar për dërgesat transnacionale të drogës porosiste kokainë nga Kolumbia dhe përmes porteve të Ekuadorit e transportonte atë në vende të ndryshme të Europës si Belgjikë, Holandë, Turqi dhe Shqipëri dhe për ta shpërndarë më pas në gjithë Europën.
Paratë e përfituara nga ky aktivitet kriminal kjo organizatë dyshohet se i pastronte duke blerë pasuri paluajtshme.