Aktualitet Goditet nga trageti, fundoset peshkarexha në Durrës, 3 persona shpëtohen nga mbytja

Goditet nga trageti, fundoset peshkarexha në Durrës, 3 persona shpëtohen nga mbytja

Tre persona janë shpëtuar nga mbytja në Durrës, pasi peshkarexha e tyre u fundos në det.

Ngjarja ka ndodhur në mesnatë rreth orës 00:05, kur u dha alarmi SOS. QNOD ka njoftuar Policinë Kufitare të Portit të Durrësit, se 3 persona që ndodheshin në një peshkarexhë, kërkonin ndihmë pasi rrezikonin të mbyteshin në det.

Në ndihmë të tyre shkuan Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare.

Mbërritja në kohë e mjetit lundrues të Policisë Kufitare shpëtoi 3 personat që ndodheshin në det, pasi peshkarexha e tyre ishte fundosur.

Ata janë kapiteni S.A. 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit K. K. 30 vjeç dhe M. E. 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, dyshohet se peshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin.

NJOFTIMI I POLICISË SË DURRËSIT:

Policia Kufitare e portit të Durrësit shpëton 3 shtetas që lundronin me një peshkarexhë me konstrukt druri, dhe rrezikonin të mbyteshin, pasi peshkarexha iu fundos në det.

Rreth orës 00:05, QNOD ka njoftuar Policinë Kufitare të portit të Durrësit, se 3 shtetas që ndodheshin në një motopeshkarexhë, kërkonin ndihmë, pasi rrezikonin të mbyteshin në det.

Menjëherë në ndihmë të tyre është nisur Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare.

Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të portit të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha iu ishte fundosur në det.

Punonjësit e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë, kapitenin, shtetasin S. A., 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit, shtetasit K. K., 30 vjeç dhe M. E., 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para dyshohet se motopeshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.