Dy persona ranë në pranga dhe 2.2 kg kanabis u sekuestruan gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në zonën e Sarandës.
Gjatë operacionit, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit J. A., 20 vjeç, dhe F. Ll., 23 vjeç, të dy banues në Konispol.
Në afërsi të fshatit Vrin, J. A. dhe F. Ll. ndaluan automjetet pranë një lavazhi dhe në momentin kur vunë re shërbimet e Policisë, shtetasi J. A. tentoi të fshehë lëndën narkotike duke e hedhur nga automjeti i tij, por u arrestua menjëherë së bashku me F. Ll., i cili kishte dijeni për lëndën narkotike që 20-vjeçari po transportonte.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2.21 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 automjete dhe 2 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.