Aktualitet Goditet rrjeti i falsifikimit të pasaportave diplomatike për të shkuar në SHBA,...

Goditet rrjeti i falsifikimit të pasaportave diplomatike për të shkuar në SHBA, në pranga dy korçarë

Një operacion i përbashkët i Policisë së Shtetit me njësinë speciale policore “Joint Shield”, pranë ambasadës amerikanë në Shqipëri ka zbuluar një rrjet të falsifikimit të pasaportave diplomatike me qëllim kalimin e paligjshëm drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mësohet se gjatë operacionit janë arrestuar 2 persona, ndërsa disa të tjerë ndodhen nën hetim.

Policia thotë se në muajin Prill të këtij viti në Rinas, policia së bashku me njësinë “Joint Shield” kanë arrestuar një 56-vjeçare shqiptare me iniciale D.I që po tentonte të udhëtonte drejt SHBA-së. Ajo kishte një pasaportë diplomatike false, të cilën pretendonte se e kishte lëshuar një organizatë jofitimprurëse e njohur me emrin ‘PBF’, e cila ndodhet me seli jashtë territorit të Shqipërisë.

“Pas hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë, janë identifikuar disa shtetas të dyshuar si të përfshirë në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave dhe dokumenteve të tjera”, njoftoi policia.

Policia me mbështetjen edhe nga agjencia federale DSS/OCI pranë ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, ka kryer veprime hetimore duke përdorur metoda speciale ligjore, në kohë dhe në vende të ndryshme. Kryesisht hetimet janë ndalur në Qarkun e Korçës.

Nga hetimet janë grumbulluar prova për të paktën 4 shqiptarë të dyshuar të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Në bazë të hetimeve, Gjykata e Tiranës ka nxjerrë urdhër arrest për 2 autorë të dyshuar, si dhe për kontrollin e 4 banesave dhe ambienteve të tjera.

Gjatë operacionit, në Korçë janë vënë në pranga D.M dhe G.P. Për këtë të fundit, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shkak të moshës.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumente dhe pajisje të ndryshme elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Kontrolle të autorizuara janë ushtruar edhe në subjekte të tjera të dyshuara të përfshira në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe të falsifikimit të dokumenteve.

Policia thotë se hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë.