Policia shqiptare dhe malazeze goditën të enjten një rrjet të trafikut të kokainës që vinte nga Amerika Latine në portin e Tivarit në Mal të Zi e përzier me pleh kimik dhe përpunohej në Shqipëri.
Sipas burimeve jozyrtare policore 15 arrestime janë kryer në Shqipëri, në Tiranë dhe në Fier ndërkohë që mediat malazeze kanë folur për disa arrestime edhe në Mal të Zi.
Kokaina dyshohet se ishte e fshehur në thasë me pleh artificial që mbërritën në portin e Tivarit në korrik të këtij viti dhe më pas u transportuan për në Shqipëri.
Sipas burimeve policore shqiptare me ndihmën e DEA-s amerikane strukturat ligjzbatuese malazeze dhe shqiptare mbajtën në vëzhgim për tre muaj pritësit e ngarkesës që rezultuan në zonën e Frakullës së Madhe në Fier, në Shqipëri.
Kryeplaku i fshatit Frakull e Madhe, Fiqiret Muçaj tha në mbrëmje se shtëpia ku u krye operacioni i gjerë policor dhe u sekuestruan rreth 200 thasët që dyshohet se përmbajnë pleh kimik të përzier me kokainë ishte në pronësi të Viktor Çervanakut, ish-kryetar i komunës Frakull, Fier.
Policia shqiptare nuk ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me emrat e të arrestuarve dhe sasinë e dyshuar të kokainës së sekuestruar.