Një 35-vjeçar nga Kukësi është arrestuar në Londër pasi kërkohej në Shqipëri për një vrasje të kryer në vitin 2015. Granit Shehu u ekstradua këtë të shtunë në vendin tonë nga Mbretëria e Bashkuar.
Shehu i lindur në Kukës, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendim të formës së prerë më datë 03.10.2018 e ka dënuar me 16 vite burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, pasi në vitin 2015, pas një konflikti për motive të dobëta, kishte vrarë me mjete prerëse shtetasin M. Sh. në Kamzë.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Një sasi prej 120 mijë lekë të vjetra që dyshohej se ishte vjedhur nga një vajzë 8-vjeçare është bërë shkak i konfliktit në Kamëz 4 vjet më parë e që më pas përfundoi me një viktimë.
Dy djem xhaxhallarësh, Granit dhe Milazim Shehu, u grindën me njëri-tjetrin, pasi Graniti akuzonte Milazimin se vajza e tij, kishte vjedhur në banesën e Granitit një sasi prej 120 mijë lekë të vjetra.
Milazimi, nuk e ka pranuar këtë akuzë. Por fill pas kësaj, dy kushërinjtë të gjendur në rrugë janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ku Graniti ka vrarë me thikë Milazimin.
Për këtë vrasje, Granit Shehu u shpall në kërkim, pas dënimit nga gjykata e Tiranës me akuzën e “Vrasjes me paramendim”.
Në shkurt të këtij viti Granit Shehu u arrestua në Londër për llogari të shtetit shqiptar e ndërsa sot është bërë edhe ekstradimi i tij duke e riatdhesuar.