Valmir Fetiu u pezullua për 6 muaj nga Federata Europiane e Taekwondo, pasi goditi me shuplakë sportisten, e cila është e bija, pas humbjes në finalen e kampionatin për fëmijë që u zhvillua në Tiranë.
Trajnerit iu tërhoq menjëherë vëmendja nga arbitri i sfidës, pasi reagimi i tij ishte i tepruar. Valina u mund nga serbja Nina Saviç, duke u mërzitur për këtë disfatë.
“Jam penduar shumë, jam penduar me jetën time, vajza ime është gjëja më e shtrenjtë për mua”, ka thënë ai, duke iu referuar sportistes.
Valmir Fetiu tha për mediat në Kosovë se ajo situatë ndodhi pasi vajza u përfshi nga paniku për rezultatin, duke shtuar se diçka e tillë nuk do të përsëritet dhe se ka kërkuar falje.
“Ajo është vajza ime dhe më shumë se unë, nuk e do askush. Në momentin që vajza ishte e çorientuar dhe e zemëruar se humbi nga garuesja serbe, u shtri në tokë duke mos mundur të pranonte humbjen. Unë thjesht doja ta qetësoja dhe t’ia bëja me dije se përkundër humbjes, është nënkampione dhe do të ketë raste tjera”, tha Fetiu.
Sipas Valmir Fetiut, kjo u shfrytëzua nga mediat në Serbi.