Aktualitet Goditi me vezë Fredi Belerin, policia procedon autorin

Goditi me vezë Fredi Belerin, policia procedon autorin

Policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë 61-vjeçarin që ka goditur me vezë dhe kos ditën e djeshme eurodeputetin grek Fredi Beleri.

Sipas asaj që njofton Policia autori akuzohet për veprat penale “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. N., 61 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 84 dhe 274 të Kodit Penal. Ky shtetas, ditën e djeshme, përpara Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, dyshohet se ka goditur me produkte ushqimore shtetasin F. B., me detyrë eurodeputet”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë kujtojmë se Fredi Beleri u prit me fjalë fyese dhe ofendime në hyrjen e Kryesisë së Kuvendit ku ishte si pjesë e delegacionit zyrtar të Parlamentit Evropian që ka ardhur në Tiranë, teksa në dalje të tij ai u sulmua me vezë dhe kos.