Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar se në Shqipëri janë arrestuar dy persona në kuadër të operacionit ndërkombëtar për goditjen e një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës me bazë në Shqipëri.
Sipas SPAK, në vendin tonë janë kontrolluar 21 banesa dhe ambiente të tjera, kryesisht në zonën e Manzës në Durrës, si dhe janë arrestuar dy persona, Jurgen K. dhe Arjanit M.
Kanë qenë mediat italiane që raportuan fillimisht për operacionin ndërkombëtar të zhvilluar mes Italisë, Shqipërisë, Zvicrës dhe Polonisë, e që në total janë lëshuar 61 urdhër-arreste për akuzat e trafik narkotikësh, pastrim parash dhe mashtrim në investime në shuma të mëdha.
Nga hetimi ka rezultuar se grupi i strukturuar kriminal ushtronte aktivitetin e trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë.
Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë Euro.
Gjatë hetimit në tërësi janë sekuestruar 360 kg kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milionë Euro cash.
Nga këto, në Shqipëri janë sekuestruar 30 mijë Euro, 6 mijë Paund, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot më datë 25.09.2024, në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zviceriane, polake, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer një operacion të përbashkët në kuadër të hetimeve për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Mashtrimi në investime në shuma të mëdha”.
Nga hetimi ka rezultuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë.
Ky grup kriminal e ushtronte aktivitetin kriminal në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër.
Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë Euro.
Nga hetimi janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milion Euro cash.
Sot, më datë 25.09.2024, në Republikën e Shqipërisë, janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambiente të tjera.
Janë arrestuar në flagrancë dy pjesëtarë të grupit kriminal, shtetasit me iniciale J.K. dhe A.M.
Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë Euro, 6 mijë Paund, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale.