Bota Goditja finale ndaj Kartellit Medellin në Kolumbi

Goditja finale ndaj Kartellit Medellin në Kolumbi

Nga Raimonda Moisiu

Më 14 gusht 1984 Kryetari i Gjykatës Supreme të Bogotës, Manuel Castro Gil paraqiti fazën paraprake të hetimeve ndaj 14 të dyshuarve për vrasjen e Lara Bonilla-s, mes tyre edhe “autorët kryesorë” të dyshuar të krimit; Pablo Eskobar, tre vëllezërit Ochoa dhe Gonzalo Rodriguez Gacha. Për Pablo Escobar Gaviria ishin lëshuar 5-urdhër arreste; dy urdhër arreste për vrasjen e agjentëve të DAS në Medellin, një urdhër arresti për vrasjen e Lara Bonilla, dhe një tjetër për vrasjen e një kontrabandisti kafshësh në kopshtin e tij zoologjik, dhe e pesta ishte urdhëri për ekstradimin e tij në SHBA-ës, si trafikant droge. Më 19 Tetor 1984 Gjykatësi Castro Gil, paditi penalisht Eskobar-in për vrasjen e Lara Bonilla, ndërsa vëllezërit Ohoas dhe Rodriguez Gacha ishin dëshmitarët kryesorë. Në shkurt të vitit 1985, Carlos Rivas Lehder nga vendi ku fshihej dha intervistë për një televizion spanjoll. i parruar me mjekrën e gjatë e të dendur, me pantallona të grisura e të pista, dhe jelek të zi pa mëngë, ai u tha gazetarëve të televizionit spanjoll se po planifikonte të krijonte një legjion me 5000 njerëz, për të “mbrojtur sovranitetin kombëtar”. Ekstradimi i kolumbianëve drejt SHBA-ës, kishte rritur ndjenjën e “çlirimit kombëtar nga imperializmi amerikan”, dhe se ishin pikërisht këta njerëz që qëlluan me plumba ndaj Lara Bonilla para se ai t’i ekstradonte për ndjekje penale në SHBA-ës. Lehder u tha gazetarëve se ai e shihte veten si “Simbol i atyre burrave që luftojnë imperializmin amerikan dhe se në këtë luftë të pabarabartë, qëllimi justifikon mjetin!”

Në vitin 1988, Pablo Escobar Gaviria gjithashtu po kalonte vështirësi të panumërta. Më 13 janar, në një prej makinave të parkuara në oborrin e vilës në periferi të Monakos, ishte vendosur një sasi e madhe eksplozivi. Shpërthimi i fuqishëm shkatërroi jo vetëm vilën tetë katëshe në pronësi të “The godfather”, Pablo Escobar, por vrau rojet e ndërtesës, hapi një gropë trembëdhjetë metra të thellë në rrugë dhe theu xhamat e ndërtesave përreth. Pablo Escobar nuk ndodhej atë cast në vilë. Shpërthimi ishte një demonstrim i forcës dhe ngjarja më e pamëshirshme që dëshmonte frikën e luftës për tregjet e kokainës, fuqinë dhe hegjemoninë për zotërimin e territoreve të drogës, mes Pablo Escobar dhe Kartelit Cali. Në të njëjtën kohë Ushtria Kolumbiane u përqëndrua masivisht në Antioquia në kërkim të Pablo Escobar, por ai u shpëtoi dy herë. Ushtria gjithashtu nuk arriti të ndiqte Kartelin Cali me të njëjtin intensitet, madje sipas disa burimeve anonime Karteli Cali vendosi të bashkëpunonte me qeverinë kolumbiane kundër kartelit Medelllin. Ndërsa Escobar u përgjigjej me mënyrën e vetme që dinte vetëm ai! Deri në shtator të vitit 1988 ushtria raportonte mbi tetëdhjetë njerëz të vrarë në të ashtuquajturën luftë mes karteleve. Më shumë së 60-ë të vrarë ishin të Kartelit Cali.

Megjithatë, Kolumbia u bë kryeqyteti i vrasjeve të botës dhe Escobari u mashtrua nga qeveritë kolumbiane dhe amerikane. Në 1993, Escobar u qëllua dhe u vra në qytetin e tij nga Policia Kombëtare Kolumbiane, një ditë pas ditëlindjes të tij të 44-të,

Jorge Ochoa Vasquez pas daljes nga burgu La Picota, mundohej të mos binte në sy të policisë. Organet ligjzbatuese të SH.B.A. -së merrnin raportime se ai qëndronte larg operacioneve të përditëshme ndaj perandorisë së tij të kokainës, ngaqë edhe pozicioni i tij tashmë ia bënte të pamundur, që të punonte në mënyrë efektive në Kolumbi. Por gjithsesi ushtria kolumbiane kishte urdhër të godiste gjithçka dhe kështu ata goditën edhe Jorge Ochoa që mendohej se ishte tërhequr.

Gjyqi i Carlos Rivas Lehder u zhvillua më 20 korrik 1988. Vetë Lehder u lejua të fliste para trupit gjykues amerikan, para se t’i jepej dënimi. Por kësaj here Carlos Lehder nuk ishte ai që ishte para 60-të muajve më parë. Me paraqitjen e një aristokrati dhe karizmën e një bisnesmeni, i veshur sportiv, me mjekrën të rruar dhe me pak mustaqe, Carlos Lehder foli për gjysëm ore me një anglishte perfekte, të rrjedhëshme dhe pa shënime në letër në bangën e të akuzuarve.

“Ndjehem si një indian në oborrin e një të bardhi”, kështu e nisi Lehder, fjalën e tij.

Tejet i nervozuar saqë kishte momente që fliste përçart dhe pa lidhje:

“Unë jam një pilot, apo jo? Madje, jam tepër i shtrenjtë, – dhe ngërdheshej me ironi.

“Kokaina është shndërruar në një armë revolucionare e luftës kundër imperializmit të Amerikës së Veriut. Trafikantët dhe stimuluesit nga Kolumbia janë thembra e Akilit e imperializmit amerikan. Kjo është arsyeja pse përndjekja ndaj nesh është e paligjëshme, sepse është politike. Qëllimi justifikon mjetin.” Lehder e quajti veten e tij një të burgosur politik, viktimë e një prokurori federal ambicioz. Ai e përshkroi gjyqin ndaj tij, si “njëzet e nëntë kriminelë që rrëfehen kundër një latini!. Miku im që u rrëmbye nga vendi im, u ekstradua kundër vullnetit të tij në SHBA-ës. Ky është mëkati dhe faji tuaj, sesa ndonjë nga këto deklarime.

Unë jam kundër abuzimit me drogën, ashtu sikundër jam edhe kundër rrëmbimit dhe ekstradimit. Ky gjyq është i paligjshëm”! Duke dalë nga salla e gjyqit Carlos Lehder u kthye nga gazetarët, kameramanët dhe reporterët e televizionit dhe bëri shenjë me dorë që donte të thoshte:

“Just Say No to Racism”! (Thuaji Jo Racizmit!).

Mbas 42 orë diskutimesh për shtatë ditë, trupi gjykues arriti verdiktin final: Carlos Rivas Lehder u shpall fajtor për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Carlos Rivas Lehder uli kokën dhe vështronte poshtë, duke mos shfaqur asnjë lloj emocioni. Në audiencë, vëllai i tij, Guillermo qëndronte gjithashtu stoik. Më pas Lehder u dënua me dënimin maksimal të lejuar nga ligji:135-ë vjet pa të drejtë lirimi me kusht!

Jose Gonzalo Rodriguez Gacha alias “Meksikani”, ashtu si edhe Ochoa nuk e vazhduan më luftën dhe përplasjet me Kartelin Cali. Viti 1988-ë ishte një nga vitet më fitimprurëse për Rodroguez Gacha. Ai u largua nga hija e ortakëve të tij, për të udhëhequr Kartelin Medellin në përhapjen e vrullshme të trafikut të kokainës në jugperëndim të SHBA-ës dhe Europës. Në vitin 1988-ë, ai u bashkua me Pablo Escobar dhe Jorge Ochoa për herë të parë në listën e njerëzve më të pasuar, miliarderëve ndërkombëtarë në revistën Forbes.

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Jacksonville, Florida USA