Myrto Uzuni është lojtari më i mirë i momentit te kuqezinjtë dhe me siguri trajneri Silvinjo uron që ai ta ruajë këtë formë të shkëlqyer edhe për ndeshjet e Kombëtares. Beratasi ka shënuar edhe sot një gol shumë të bukur për Granadën në Spanjë.
Uzuni gjeti goditjen perfekte nga jashtë zonës në minutën e 28-të të ndeshjes ndaj Vilarrealit B në transfertë, duke e çuar topin në rrjetë me një trajektore fantastike. Granada fitoi 0-2, një rezultat që e mban këtë skuadër pranë zonës së ngjitjes në La Liga.
Vilarreal B është një kundërshtar që i sjell fat sulmuesit shqiptar. Në fazën e parë Uzuni ka shënuar tri herë në portën e kësaj skuadre. Me golat që po shënon dhe formën që po kalon, duket e vështirë që beratasi të qëndrojë te Granada verën e ardhshme.
Në momentin e festës së golit të Uzunit në stadium u inkuadrua nga telekamera edhe flamuri shqiptar, që ishte shpalosur nga disa tifozë shqiptarë.
Këtë sezon skuadra e Granadës renditet në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit me 44 pikë dhe synon rikthimin në elitën spanjolle.