Bota “Goditje fatale për organizatat kriminale”, Meloni: Pakti për emigrantët me Shqipërinë, leksion...

“Goditje fatale për organizatat kriminale”, Meloni: Pakti për emigrantët me Shqipërinë, leksion për Europën

Në dy vite e gjysmë që pas votëbesimit si Kryeministre e Italisë, Giorgia Meloni pohon për të përditshmen “Corriere della Sera” se nuk ka bërë kurrë një zgjedhje për të cilën duhet të ndihet e turpëruar, pavarësisht gabimeve që i njeh vetes.

Teksa flet për përplasjet me gjyqësorin lidhur me marrëveshjen e emigrantëve të nënshkruar në 6 Nëntor të vitit 2023 me Shqipërinë, Meloni e cilëson protokollin me palën shqiptare si një zgjidhje përparimtare.

“Ekzekutivi ka bërë zgjedhje të sakta lidhur me çështjen e emigracionit dhe protokolli i nënshkruar me Shqipërinë është një prej tyre. Është një zgjidhje shumë novatore, e cila po shërben si një leksion jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë, pasi është e qartë se synon t’i japë një goditje fatale organizatave kriminale që spekulojnë me emigrantët për të majmur fitimet e tyre”, tha Meloni.

Madje shefja e qeverisë italiane thotë se çështja e emigracionit ka qenë edhe në fokus të diskutimeve me kryeministrin britanik Starmer, duke e cilësuar marrëveshjen e lidhur me palën shqiptare si një shembull që duhet ndjekur.

“Është një fenomen që prek të gjithë kontinentin europian edhe jashtë kufijve të BE-së. Me Starmer ne jemi dakord se duhet të intensifikojmë luftën kundër trafikantëve, të punojmë drejt një bashkëpunimi më të madh midis policive tona, të forcojmë angazhimin për riatdhesimet vullnetare dhe të mos kemi frikë të eksplorojmë gjithashtu zgjidhje novatore, si ajo që Italia ka nisur përmes  protokollit me Shqipërinë për të përpunuar kërkesat për azil në territore jo të BE-së, por nën juridiksionin italian dhe europian”, tha Meloni.

Deklaratat e Melonit vijnë në një kohë kur në fund të dhjetorit qeveria italiane vendosi të ecet përpara me zbatimin e protokollit  për dërgimin e azilkërkuesve të refuzuar drejt kampit të Gjadrit.

Planin për të vijuar marrëveshjen me Shqipërinë, kabineti i Giorgia Melonit e bazon tek vendimi i Gjykatës së Lartë i 19 Dhjetorit, ku thuhet se është e drejtë e qeverisë për të përcaktuar listën e vendeve të sigurta të origjinës.

Gjykata e Romës, e cila me vendimet e saj ktheu dy herë anijen Libra, ka kërkuar mendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për vendet e sigurta të origjinës.

Ndërsa më 25 shkurt Gjykata Evropiane e Drejtësisë pritet të japë një vendim mbi përcaktimin e vendeve të sigurta.