Me Antonio Conte-n në stol, Tottenham është një tjetër skuadër dhe këtë e ka treguar edhe në ndeshjen e kësaj të diele ndaj Liverpool, duke ndalur “The Reds” në një barazim 2-2.
Harry Kane realizoi pas vetëm 13 minutash loje, ndërsa skuadra e Klopp arriti të përmbysë rezultatin Jota e Robertson, por skocezi e la skuadrën e tij me një lojtar më pak në minutën e 77, duke u ndëshkuar me karton të kuq për një ndërhyrje të rëndë. Goli i barazimit për Tottenham u shënua nga koreanojugori Son Heung-Min.
Pas këtij takimi, Liverpool mbetet 3 pikë pas Manchester City-t kryesues, ndërsa Tottenham mban vendin e shtatë me 26 pikë.
Fitorja e tetë radhazi për City-n, tjetër barazim për Chelsea
Fitore me “poker” e Manchester City në transfertë, ndërsa Chelsea regjistroi një tjetër barazim në Premier League. Kampionët në fuqi nuk hasën probleme përballë Newcastle, kundërshtar të cilin e mposhtën 0-4.
Ekipi i Pep Guardiolës kaloi në avantazh në minutën e katërt, me Ruben Dias që përfitoi nga nja hezitim i mbrojtjes vendase dhe realizoi me kokë. City nuk u ndal dhe dyfishoi në minutën e 27-të.
Inkursion i bukur dhe gjuajtje potente e Joao Cancelos, me topin që u ndal në trekëndëshin e portës së “Qymyrxhinjve”. Minuta e 64-t solli golin e tretë për skuadrën udhëtuese.
Aksion i Manchester City dhe finalizim i Riyad Mahrez, i cili tundi rrjetën kundërshtare falë një veprimi teknik të bukur. Në minutën e 86-të erdhi edhe rrjeta e Raheem Sterlingm, i cili shfrytëzoi një asist të Gabriel Jesus.
Fitorja e tetë radhazi në kampionat për Manchester City, që kryeson me 44 pikë. Chelsea nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në fushën e Wolves.
Sfida pati pak raste për gol, ndërkohë që vendasve iu anulua një gol në pjesën e parë, pasi Podence ishte në pozicion të parregullt. Barazimi i dytë radhazi në Premier për Chelsea, që renditet në vend të tretë me 38 pikë.