Nedim Bajrami, mesfushori i Kombëtares, i cili hyri në historinë e Europianit me golin pas 23 sekondave ndaj Italisë, doli në konferencë për mediat këtë të shtunë, ku foli për dy ndeshjet e para si dhe “finalen” ndaj Spanjës.
Bajrami përsëriti edhe njëherë se ndaj Italisë ishte një ndeshje e dobët, ndërsa theksoi se golin që e futi në histori do ta ndërronte me një tjetër në fund që do të vlente një pikë.
“Ndaj Italisë e filluam ndeshjen aq mirë dhe këtë se kishim pritur. Pastaj patëm atë rastin me Manajn. Me Kroacinë luftuam deri në fund. Me Italinë luajta mesfushor. Me Kroacinë luajta në krah. Sylvinho më pyeti nëse luaj dhe i thash menjëherë po, pasi unë jam gjithmonë gati për kombëtaren pavarësisht pozicionit. Nuk e dija që hyra në histori të Europianit, por do ta ndërroja me një gol në fund me Italinë”, tha Bajrami.
Sa i përket Spanjës, Bajrami u shpreh se nuk pret dhurata, por ekipi do të bëjë maksimumin për të marrë pikët për kualifikim.
“E dimë të gjithë që Spanja është një skuadër favorite për ta fituar Europianin. Duhet ta përgatisim shumë mirë atë ndeshje, duhet të japim maksimumin dhe rastet që të na krijohen të realizojmë. Jam gati për të dyja pozitat, pavarësisht pozicionit. Atë e vendos trajneri dhe unë do të japë maksimumin”, tha Bajrami.