Në një bashkëbisedim me bizneset për informalitetin dhe planin e qeverisë për të shtyrë bizneset që të paguajnë kontributet e punonjësve, Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja tha se duhet të shkohet me shpejtësi drejt formalizimit të plotë të tregut.
Për Gonxhen pagesat në dorë janë një problem serioz, pasi janë para që nuk futen në sistem, në mënyrë që të përkthehen më pas në shërbime për qytetarët e në veçanti për pensionistët, shkruan A2.
“Tregu duhet të jetë gjithmonë e më i formalizuar, që të ketë konkurrencë të drejtë. Informaliteti është ende një plagë e pashëruar në shoqërinë tonë dhe lidhet me mendësinë e shoqërisë. Kemi një borxh 100 milionë euro, ku ka subjekte publike e private, që duhet të paguajnë këtë borxh, që ndikon në skemën e pensioneve. Problematike është edhe pagesa me para në dorë, efektet ndihen direkt në ekonomi. Po ndërtojmë një plan pune, që të kemi ndërhyrje strategjike. Është një bashkëpunim mes punonjësit dhe punëdhënësit, që dëmton skemën totale të ekonomisë sonë. Ka shumë rëndësi që ne të kuptojmë se çfarë rëndësie kanë këto veprime, ne duhet të kemi një angazhim më të madh për një ndërgjegjësim më të madh për këto fenomene”, tha Gonxhja.
Edhe pse ultimatumi i Tatimeve për bizneset që të deklarojnë pagat reale përfundoi më 20 tetor, Gonxhja tha se kjo masë nuk duhet të jetë e vetmja armë për t’i dhënë zgjidhje problemit të informalitetit.
Qeveria ka në plan një skemë të re pensionesh, por ende nuk janë bërë me dije detaje se sa mund të jetë rritja që do përfitojnë pensionistët duke nisur nga 2025.