Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe po mban një seancë dëgjimore në Kuvend. Gjatë fjalës së tij, Gonxhe ka thënë se po punohet për një bibliotekë të re kombëtare pranë Gardës në Tiranë.
Gonxhe ka shtuar se megjithëse do të ndërtohet një bibliotekë e re, ajo e vjetra nuk do të shkatërrohet, por do të ketë një theks muzeal në qendër të qytetit pranë sheshit “Skëndërbej”.
Blendi Gonxhe: Një situatë e rëndësishme për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë që është një institucion me një rëndësi të jashtëzakonshme dhe që kemi një situatë kritike sa i takon kushteve të sigurisë për fondet dhe për të gjithë inventarin, thesarin që kemi në bodrumet e këtij institucioni ku ne po punojmë për të pasur një qasje tepër kreative në kuptimin ekonomik të fjalës, një nismë të re që kemi bashkë me Bashkinë Tiranë dhe me shoqërinë që posedon një pjesë të këtij aseti, ne të kemi një marrëveshje të re që do të na bënte që të dilnim me më shumë metra me një zgjidhje përsa i përket krizës që ka kaluar biblioteka shqiptare në vite.
Biblioteka e re kombëtare 2 që do të zhvillohet, do të ndërtohet, ngrihet pranë Gardës. Biblioteka e vjetër nuk do të shkatërrohet, ajo do të jetë biblioteka në konceptin që ne kemi, do të ketë dëgjesa, një analizë dhe vendimmarrje serioze. Biblioteka e vjetër kombëtare duhet të jetë atje për një theks ceremonial, muzeal, duke qenë në qendër të qytetit pranë sheshit Skëndërbej dhe duke menduar si do e konceptojmë Pallatin e ri të Kulturës në shërbim edhe të bibliotekës kombëtare, ne duam që të jetë e vizitueshme dhe të jetë një objekt historik ku do të kemi fondin historik. Biblioteka e re kombëtare do të jetë në shërbim të shumë moshave me shumë kategori. E gjitha kjo do të zhvillohet në një godinë të re që do të vijë si rezultat i një qasje kreative ekonomike.