Aktualitet Grabisnin kasafortat e bizneseve, goditet grupi i strukturuar kriminal

Grabisnin kasafortat e bizneseve, goditet grupi i strukturuar kriminal

Një grup kriminal i përbërë nga 6 persona që grabiste kasafortat e bizneseve në autostradën Tiranë-Durrës është shkatërruar nga Forcat e Komisariatit Nr.6 të Policisë Tiranë dhe nga Forcat e Posaçme Operacionale.

Tre persona janë arrestuar ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ata janë Elton Tafa (Beu), Egzon Mhilli (Murati) dhe Ilir (Mikel) Boja.

Ata u kapën në flagrancë gjatë kohës që po kryenin vjedhjeve në një biznes në autostradë.

Ndërsa në kërkim janë shpallur bashkëpunëtorët e tyre, K. A. (M)., 32 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”; A. K., 29 vjeç; F. D. (P.) 25 vjeç, si dhe u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi Z. T., 58 vjeç dhe shtetasja L. Sh., 38 vjeçe.

Nga verifikimet ka rezultuar se ky grup është përgjegjës edhe për 7 raste të vjedhjeve dhe tentativa vjedhjesh së kasafortave në biznese.

Më datë 06.06.2021, në Kodër Mëzes, në një firmë, dyshohet se kanë vjedhur kasafortën me një shumë parash;

Më datë 12.08.2021, në autostradën Tiranë-Durrës, dyshohet se kanë vjedhur disa pajisje topografike;

Më datë 18.08.2021, në një qendër tregtare, dyshohet se kanë vjedhur kasafortën e magazinës ku kanë marrë një shumë parash;

Më datë 30.08.2021, në një firmë dyshohet se kanë vjedhur një shume parash;

Më datë 17.03.2021, në rrugën “Vangjel Noti”, dyshohet se kanë vjedhur disa medikamente mjekësore në një firmë;

Më datë 26.11.2021, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin kasafortën në një firmë.

Ndërkohë, nga hetimet e kryera, rezulton se njëri nga këta shtetas, konkretisht shtetasi K. A. (M)., në bashkëpunim me shtetas të tjerë të paidentifikuar, në një banesë në zonën e Gjirit të Lalësit, dyshohet se ka vjedhur një sasi parash.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me fishekë luftarakë, mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, 1 automjet dhe 8 aparate celularë.

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta persona.