Autorët e njihnin shumë mirë banesën dykatëshe në Allias të familjes Laze dhe gjithashtu edhe lëvizjet e familjarëve. Në këtë përfundim ka arritur grupi hetimor dhe kjo është pista ku po heton për zbardhjen e tentativës së grabitjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Njazi Meka” në Tiranë.
Grabitja që mbeti në tentativë është kryer nga persona të njohur me familjen Laze ose punëtorë të saj.
“Pjesa e pasme e banesës nga ku çifti hynte në shtëpi ndryshe nga pjesa e përparme ku ndodhej dhe biznesi nuk ka pasur kamera dhe këto të dhëna janë ditur nga autorët, çka sipas policisë, përforcon dyshimet se grabitësit kanë pasur shumë informacion për familjen dhe gjendjen e banesës. Policia ka shoqëruar të gjithë punëtorët dhe po merren në pyetje për të zbuluar se ku ndodheshin ditën e djeshme gjatë kohës së grabitjes”, raporton News 24.
Por një problem për grupin e hetimit përbën moti pasi mbrëmjen e kaluar pasi kryeqyteti ka qenë i mbuluar nga mjegulla. Për këtë arsye nuk është arritur të zbulohet lloji i mjetit me të cilin janë arratisur autorët, të cilët kanë qenë të maskuar.
Dëshmia
Afërdita Lazes, e cila mbeti dje e plagosur bashkë me burrin e saj, ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Gruaja, teksa ka rrëfyer momentet e tmerrit para oficerëve të policisë, kur persona të maskuar iu futën në banesë, ndërsa skena e dhunshme u zhvillua në sy të vajzës së saj 17-vjeçare.
“Ishim në dhome. Dëgjuam një zhurme dhe vajzën që bërtiti; “kush është aty?”. Doli Petriti (burri) të shihte kur u ndesh në korridor me 2 veta të maskuar. Dukeshin të rinj. Ata bërtisnin vetëm “lekët, lekët” dhe i drejtuan pistoletën. Petriti tentoi t’i nxjerrë jashtë nga shtëpia, ata e qëlluan. Kur u afrova dhe mua me qëlluan dhe ikën me vrap”, tha gruaja.
Siç është raportuar dhe më herët, si fillim u plagos i zoti i shtëpisë, Petrit Laze, i cili ka marrë plagë në bark dhe ndodhet më rëndë, ndërsa gruaja është plagosur në pjesën e poshtme të gjymtyrëve.