Ish-futbollisti i Juventusit, Claudio Marchisio, që njoftoi tërheqjen nga futbolli pak kohë më parë, e ka parë veten në një situatë vërtet të frikshme. Atij i është dashur të dorëzojë me detyrim paratë dhe sendet e çmuara, nën kërcënimin e armëve. Tmerrin me sy, “Princi” e ka parë rreth orës 19:30 të së martës, teksa me bashkëshorten, Roberta, ishin në shtëpinë e tyre në Vinovo. Katër të panjohur të armatosur, të maskuar, kanë hyrë në banesën e tyre dhe i kanë terrorizuar. Dy prej grabitësve mbanin në duar pistoleta, ndërsa tjetri një kaçavidë. Marchisio është detyruar t’iu dorëzojë “skifterëve” paratë që kishte dhe sendet me vlerë.
Katër grabitësit janë larguar me makinën, që e kishin parkuar pranë kompleksit rezidencial, pa lënë gjurmë. Ish-mesfushori bardhezi ka lajmëruar policinë, që është vënë në kërkim të autorëve. Keqbërësit duket se e njohin mirë zonën dhe kompleksin rezidencial, pasi për të hyrë brenda duhet të dish kodet. E gjithë zona është e mbikëqyrur me kamera sigurie. Marchisio ishte kthyer të jetonte në Vinovo, bashkë me familjen, pas eksperiencës që kaloi në Rusi, te Zeniti.