Aktualitet Grabiti një grua në shëtitoren e Himarës, arrestohet 41-vjeçari nga Fieri (VIDEO)

Grabiti një grua në shëtitoren e Himarës, arrestohet 41-vjeçari nga Fieri (VIDEO)

Policia e Himarës njoftoi arrestimin e një 41-vjeçari nga Fieri që kishte grabitur portofolin dhe bizhuteritë me vlerë një gruaje në shëtitoren e këtij qyteti. Personi me precedentë penalë u identifikua nga kamerat e sigurisë. Ai rezulton që të ketë kryer edhe në të kaluarën grabitje dhe vjedhje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pocket”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. M., 41 vjeç, banues në Fier. 41-vjeçari, me precedent të mëparshëm për dhunë në familje dhe kalim të paligjshëm të kufirit, u kap menjëherë pasi i kishte vjedhur një shtetaseje, në shëtitoren e qytetit të Himarës, kuletën me para dhe bizhuteritë e floririt, me vlerë totale rreth 60 mijë lekë.

Sendet e vjedhura u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale. Nga veprimet hetimore rezultoi se 41-vjeçari është gjithashtu autor i dyshuar i vjedhjes së 3 celularëve, në banesën e një shtetaseje, vjedhje e kryer më datë 26 qershor 2023, në Himarë. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë së Himarës.