Ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizime në Kurbin, Alfred Prodani i arrestuar në fillim të muajit Maj për vjedhje në Spanjë, do të ekstradohet drejt këtij shteti për t’u përballur me drejtësinë.
Sipas Klan News, pas përfundimit të afatit të paraburgimit 40-ditor, Gjykata e Kurbinit ndryshoi masën e sigurisë për 41-vjeçarin, duke e lënë në burg pa afat ndërsa vijojnë proçedurat për ekstradimin drejt shtetit spanjoll.
Menjëherë pas arrestimit, autoritetet spanjolle sollën dosjen hetimore dhe provat që e implikojnë Prodanin në disa episode vjedhjesh. Gjatë kësaj kohe, Prodani ka qëndruar në burgun e Kurbinit me qëllim ekstradimi.
Prodani u arrestua në qytetin e Laçit pasi që prej vitit 2013 ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle si i përfshirë në grabitje me dhunë të banesave. Një nga vilat që dyshohet se Prodani bashkë me persona të tjerë të kenë grabitur është ajo e yllit të Real Madrid, sulmuesit Karim Benzema. Urdhër-arresti ndërkombëtar për vjedhjen e dhjetëra vilave në Spanjë, nuk e pengoi 41-vjeçarin të ulej në zyrat shtetërore dhe të mbante prej vitesh detyrën e drejtorit.
Në Mars të këtij viti hyri në fuqi marrëveshja e ekstradimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës dhe Prodani do të jetë nga të parët shqiptarë që do i dorëzohet autoriteteve spanjolle.