Dy persona të tjerë janë arrestuar, nën dyshimin se është bashkëpunëtor në grabitjen e 3.2 milionë eurove më 9 shkurt në rrugën e Rinasit. Bëhet fjalë për vellain dhe nipin e Admir Muratajt. Vëllai i tij, Cen Murataj, ishte i shoqëruar prej 3 ditësh, por sot prokuroria ka lëshuar udhër-arrestin.
Në shtëpinë e tij u gjet një sasi e parave të grabitura të enjten e kaluar ne rrugën e Rinasit. Ndërsa nipi i kreut të bandës, Erdon Murataj u kap në doganën e Morinës. Ai është ndaluar nga policia kufitare teksa po hynte nga Kosova, pasi ka qene i shpallur në kërkim policor, me kartele rozë në sistemin e policisë.
Burime nga grupi hetimor thanë për Televizionin Klan se ekzistojnë prova të pakundërshtueshme që e implikojnë edhe atë në këtë grabitje.
Por për shkak të hetimit, hetuesit rezervohen në dhënien e informacionit për rolin qe ka patur Erdon Murataj në grabitjen e 9 shkurtit, në grupin që drejtohej nga xhaxhai i tij.
Policia po e kërkon Admir Muratajn në Dibër, pasi besohet se fshihet së bashku me shtetasin Admir Çerpja, edhe ai i shpallur në kërkim si anëtar i grupit të grabitësve.
Televizioni Klan mëson se hetimet për Admir Muratajn janë shtrirë edhe në Greqi, ku policia shqiptare po bashkëpunon me partnerët prej disa ditësh për këtë çështje.
Ai ka qenë i dënuar në Greqi për grabitjen e 1 milionë eurove në bankën e Larisës dhe është arratisur në vitin 2013 së bashku me 11 persona të tjerë, anëtarë të bandës së Ilir Kupës, i cili gjendet në burg, së bashku me disa anëtarë të grupit të njohur si Babagjyshët, përgjegjës për disa grabitje dhe për vrasje.