David King*
“Eja në Suedi”, tha zëri në telefon mes një gjerbjeje rumi dhe një thithjeje cigareje. “Unë do t’i përgjigjem çfarëdo pyetjeje që dëshiron”.
Në linjë ishte Clark Olofsson, një nga kriminelët më famëkeq të Suedisë të shekullit të XX. Ai kishte qenë për disa kohë në kryetitujt e tabloideve për vjedhjen e bankave, arratisjen nga burgu dhe përqeshjen e autoriteteve në intervistat e tij, të dhëna pas viteve të kaluara në qeli duke lexuar histori dhe filozofi. I pashëm dhe karizmatik, Olofsson kishte qenë një ikonë e antikulturës në Suedinë e viteve ‘70. Ai ishte, siç e përshkruante një gazetar, “një përzierje skandinave e skajshme e Jesse James dhe Ëarren Beatty”.
Unë isha i interesuar të flisja me Clark Olofsson sepse ai kishte luajtur një rol të spikatur në një krim mbi të cilin po investigoja. Më 23 gusht 1973, një burrë i gjatë muskuloz kishte hyrë në një bankë në qendër të Stokholmit. Ai mbante grim, një parukë grash dhe një palë syze dielli. Pasi hyri, nxori një armë dhe qëlloi në tavan, duke bërtitur: “Tani fillon festa!”. Pak minuta më vonë, shumë njerëz ishin pengje të tij dhe kërkesa ishte e qartë: donte 3 milion korona suedeze (rreth 4 000 000 dollarë me vlerën që ka dollari sot) dhe që Clark Olofsson, i cili ishte në burg në atë kohë, t’i çohej aty ku ishte.
Policia mbushi sheshin jashtë bankës, e ndjekur nga reporterë, fotografë, ekipe xhirimi dhe brenda pak minutash edhe një turmë e madhe spektatorësh. Ngjarja kriminale në zhvillim e sipër do të transmetohej në drejtpërdrejt në televizion.
Pastaj, për habinë e shumëkujt, Olofsson u soll në bankë dhe iu dorëzua personit të armatosur, Jan-Erik ose Janne Olsson. Ky ishte i pari nga shumë vendime të diskutueshme që mori policia, pasi tensioni u rrit dhe situata u bë më e paqëndrueshme. Si mund ta linin këtë kriminel të rrezikshëm në një bankë, ku nën kërcënimin e një arme zjarri mbaheshin peng punonjësit? I gjithë vendi u habit. Raportimet e kohës në mediat suedeze tregojnë se ngjarja, në kulmin e saj, mori vëmendjen e jo më pak se 73% të publikut televiziv.
Për herë të parë isha magjepsur nga kjo histori kur jetoja në Suedi në vitet 1990 dhe kisha kaluar pranë vendit ku ndodhi pengmarrja në rrugën që më çonte në bibliotekë, ku studioja për atë që më vonë u bë libri im i parë. Në atë kohë, historia më kujtoi filmin klasik të Sidney Lumet, “Dog Day Afternoon”, ku luante Al Pacino. Por kishte shumë dallime, jo vetëm në faktin se çështja e pengjeve suedeze përfundoi me ndërhyrjen e kryeministrit Olof Palme, por hapi edhe një dritare të re në të kuptuarit e marrëdhënieve të ndërlikuara emocionale midis pengmarrësit dhe pengut: sindroma e Stokholmit.
Sindroma e Stokholmit është cilësuar tradicionalisht si tendenca e një pengu për të simpatizuar, për t’u identifikuar ose për të formuar lidhje të fuqishme me pengmarrësin e tij/saj. Një psikiatër që ndihmonte policinë e Stokholmit, Nils Bejerot, studioi bashkëveprimet e Olsson, Olofsson dhe të katër pengjeve, dhe më pas ia parashtroi përfundimet e tij shtypit. Teoria që ai hodhi u përpunua më vonë nga psikiatër, psikologë dhe negociues në situata pengjesh në Suedi dhe Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në Departamentin e Policisë në Nju-Jork dhe FBI. Ky koncept i “lidhjes së terrorit” do të evokohej vazhdimisht me kalimin e viteve për të shpjeguar sjelljen e viktimave në rrëmbime të profileve të larta dhe rasteve të pengjeve nga Patricia Hearst tek Elizabeth Smart, dhe do të kishte gjente vend në filma dhe në kulturën popullore.
Por, për habinë time, nuk kishte libra në gjuhën angleze mbi krizën origjinale të pengjeve që frymëzoi sindromën e Stokholmit. Kështu që, vendosa të kërkoj më thellë. Në fund, do të kaloja më shumë se tre vjet me kërkime të tilla. Kam lexuar të gjitha dosjet e policisë së Stokholmit dhe dokumentet e gjykatës në lidhje me rastin, si dhe mbulimin e bujshëm të mediave në dhjetëra gazeta dhe revista nga Suedia dhe e gjithë bota. Shikoja transmetimet e lajmeve televizive suedeze, përfshirë pamjet bruto, kur ekipet e xhirimit lanë kamerat të drejtuara nga banka ose makinën që largohej, nga frika se do të humbisja ndonjë zhvillim në një krizë që, në çdo moment, mund të vinte në një fund të papritur dhe të dhunshëm.
Policia e Stokholmit, siç rezultoi, kishte përdorur edhe kamerat e bankës, nga pikat ku ato ishin vendosur. Për më tepër, ata kishin arritur të vendosnin mikrofona pranë kasafortës, ku Olsson, Olofsson dhe pengjet ishin pozicionuar. Procesverbali i këtyre bisedave, orë pas ore, siguroi një pasqyrë të paçmuar të forcave që drejtuan zhvillimin e ngjarjes dhe zbuloi se kishte shumë më tepër nga sa ishte thënë për sindromën e Stokholmit – dhe në fakt, konceptimi popullor i asaj që do të thotë sindroma e Stokholmit nuk ishte pjesë e tregimit origjinal.
Për mua, puna arkivore është gjithmonë një pikë e rëndësishme e procesit të kërkimit. Por këtë herë, unë gjithashtu pata mundësinë t’ua shtroj pyetjet e mia drejtpërdrejt personazheve kryesore. Jo vetëm Clark Olofssonit, por edhe sulmuesit Janne Olsson, i cili ishte kthyer përsëri në Suedi pas shumë vitesh në Tajlandë. Shumë të tjerë ranë dakord të flisnin për përvojat e tyre, përfshirë policë, gazetarë dhe, mbi të gjitha, pengje të cilët më parë ishin “diagnostikuar” me sindromën e Stokholmit.
Në fillim, qëllimi im ishte thjesht të tregoja një histori të asaj që ndodhi në 1973 – një histori që, për mendimin tim, duhet të tregohet. Ndërsa gërmova më thellë, megjithatë, kuptova se kjo ishte më shumë sesa tregimi i vërtetë i një drame dhe momenti suspance që rrezikonte të prishte ekuilibrat e jetës. Kriza e pengjeve do të çonte në reformën e policisë, do të frymëzonte një debat të fuqishëm për rolin e mediave në shoqëri, dhe, më së shumti, të “sjellë në jetë” sindromën e Stokholmit. Koncepti u përhap nga një bankë në Suedi dhe hyri në fushën e psikologjisë, negociatave për krizë dhe kulturës popullore – por vetëm duke u pajtuar me origjinën e saj ne mund të kuptojmë më mirë ndikimin real të një traume të tillë në mendjen e njeriut.
*David King është autor i librit “Gjashë ditë të gushtit: Historia e Sindromës së Stokholmit”.
Shkrimi është botuar në revistën “TIME”