Nga Roland Tashi*
Muaji dhjetor i vitit që sapo mbylli siparin, ashtu si dhe i njëjti muaj i viteve të shkuara, u largua duke shënuar dhe duke marrë me vete ngjarje kriminale në kapitullin e njohur të grabitjes së vlerave monetare gjatë transportit, si dhe në njësitë e biznesit të sistemit bankar jo vetëm në vend, por edhe në rajon.
Ngjarjet e ndodhura në këtë muaj nuk përbëjnë më asnjë rastësi për drejtuesit e strukturave të sigurisë, si dhe punonjësve të sistemit bankar, të cilët në rast se i nënshtrohen një procesi formimi dhe informimi të vazhdueshëm, janë në dijeni të ngarkesës kriminale që mbart ky muaj në raport me muajt e tjerë të vitit. Analiza e detajuar e ngjarjeve të ndodhura në këtë periudhë, si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij, studimi dhe përpunimi i teknikave të përdorura duhet të jetë në vëmendje të ekspertëve dhe specialistëve të sigurisë për të njohur tipologjinë e krimit, për të vlerësuar nivelin e rrezikut të shfaqur dhe për të marrë masat e nevojshme për parashikimin, parandalimin dhe reduktimin e pasojave, duke orientuar lidershipin, si dhe duke trajnuar punonjësit.
Ngjarja e parë e muajit dhjetor, ajo e datës 14, shënohet në Shkozet, ku grabitësit kanë sulmuar dhe përvetësuar vlerat monetare të një subjekti gjatë procesit të transportit për në një bankë të nivelit të dytë. Nga teknika dhe zhvillimi i ngjarjes, kuptohet se grupi kriminal ka pasur dijeni lidhur me mënyrën e transportimit të parave, kohën dhe itinerarin e lëvizjes, punonjësit e sigurisë në grupin e shoqërimit, frekuencën e lëvizjes, si dhe detaje të tjera që lidhen me këtë praktikë.
Tërheq vëmendjen fakti se ngjarja ka ndodhur ditën e premte, e cila tashmë nuk mund të konsiderohet ditë e “rastësishme”, pasi kjo ditë, në llogaritjen e përqindjes së krimeve që kryhen në sistemin bankar e financiar, konsiderohet si e “premtja e zezë”. Gjithashtu, elemente të tjera jo “të rastësishme” të cilat kanë favorizuar grabitjen janë: orët e pasdites, zgjedhja e një dite me kohë të keqe, e cila ndihmon në fshehjen, humbjen e gjurmëve dhe provave të lëna në skenën e krimit dhe në segmentet e largimit, përdorimi i armëve të zjarrit dhe elementeve të maskimit.
Duke ju referuar tipologjisë së ngjarjeve të ndodhura në vend, është lehtësisht e kuptueshme që krimi studion paraprakisht të gjithë procedurën që ndiqet duke gjetur pikat më të dobëta të procesit, zinxhirit të sigurisë. Më tej, duke iu referuar teorisë spirale të krimit, grabitja kryhet duke sofistikuar, duke ngritur në nivel më të lartë teknikat e përdorura.
Duke mbetur te kjo natyrë krimi, një ngjarje tepër spektakolare ndodhi në Jug të Italisë, në orën 07:30 të datës 1 janar, ku si për ironi të fatit duket se grupet kriminale përshëndetën mbërritjen e Vitit të Ri. Ngjarje tepër e veçantë, “shkollë profesionale krimi”; në vendngjarje janë përfshirë dy ruspa, makineri të rënda me zinxhirë që përdoren për ndërtimin, rikonstruksionin e rrugëve, të sjella këtu më parë nga një transportues i tonazhit të rëndë. Pas bllokimit të rrugës dhe përdorimit të armëve të zjarrit për të krijuar presion psikologjik te punonjësit e sigurisë, njëra nga ruspat ka vepruar me kovën e saj, duke shqyer pjesën e pasme të mjetit të blinduar.
Në këtë aksion “rrufe”, në harkun e pak minutave u grabitën rreth 2.3 milionë euro. Grupi përbëhej nga të paktën katër grabitës të maskuar të cilët më pas, siç ndodh zakonisht në epilogun e këtyre shfaqjeve të kronikës së zezë, aktorët janë larguar duke djegur automjetet që bllokuan rrugën për zhdukjen e gjurmëve dhe krijimin e vonesave për ndjekjen e tyre nga forcat e policisë.
Në rast se analizojmë shkurtimisht ngjarjen, kuptojmë se brenda saj ka detaje të analizuara dhe selektuara me shumë kujdes; – është “zgjedhur” data 1 Janar, fillimi i vitit, ku për arsye të festës ka një shpërqendrim në drejtim të sigurisë – janë përdorur ruspa, mjete të rënda me zinxhirë, të cilat nuk tërheqin vëmendjen, nuk krijojnë dyshime kur qëndrojnë në segmente rrugore ku kryhen punime – aksioni “blic” është kryer herët në mëngjes kur nuk ka ende trafik të rënduar, duke ndihmuar në daljen dhe largimin e shpejtë nëpërmjet rrugëve dytësore.
Grabitësit po sofistikohen
Grabitja e vlerave gjatë transportit të tyre tashmë nuk përbën lajm, pasi prej kohësh këto ngjarje ndodhin në vendin tonë. E veçantë dhe tepër shqetësuese mbetet sofistikimi i teknikave të përdorura të cilat kërkojnë analiza dhe studime nga specialistët e sigurisë dhe kriminalistikës, duke u shoqëruar me masat e duhura për të frenuar dhe për të reduktuar nismat kriminale. Një nga mënyrat e mundshme është edhe vendosja e parave, brenda mjetit të blinduar, në kontenitorë, kuti të veçanta të pajisura me elementet e duhura mbrojtëse, brenda të cilave vendosen pajisje gjurmuese si dhe bojë e cila shpërthen në rast agresioni, duke i ngjyrosur dhe duke i dëmtuar paratë.
Teknikë tjetër mbetet aplikimi brenda mjetit të blinduar, i sistemit “spumablock”, i cili prodhon një shkumë poliuretani në zonën ku mbahen paratë për të mbuluar dhe për të bllokuar ngarkesën, duke mos lejuar marrjen e saj. Aplikimi i këtyre mënyrave si dhe teknikave të tjera bashkëkohore, kërkon sanksionim në vendime apo udhëzime të veçanta të Policisë së Shtetit, për të ndaluar qarkullimin e mjeteve që transportojnë vlera monetare, pa u pajisur më parë edhe me këto sisteme. Ky është një refren i vjetër, që këndohet zakonisht dhe sillet në vëmendje vetëm kur kemi ngjarje, por duket se ka ardhur koha për të vepruar pa vonesë. Skenat me ruspat në shtetin fqinj mund të “importohen” dhe shfaqen edhe këtej Adriatikut, pasi krimi nuk ka atdhe.
Grabitja e ATM-ve
Një fenomen tjetër, që mbylli vitin që lamë pas dhe priti Vitin e Ri, është grabitja e ATM-ve, bankomateve të sistemit bankar. Teknika e përdorur në këto raste, në ditët e fundit të dhjetorit në një bankë të nivelit të dytë në Laç, ditën e premte të datës 4 janar në Urën Vajgurore, si dhe në datën 8 janar në Tiranë, grabitje e mbetur në tentativë, tregon se grabitja me dhunë dhe dëmtimi i bankomateve po ecën njëherësh me grabitjet inteligjente të tyre nëpërmjet mjeshtërve, hackerave të informatikës.
Në këto vendngjarje, ATM, është përdorur lëndë shpërthyese për hapjen e tyre, teknikë e papërdorur më parë. Grupet kriminale, në Laç, Urën Vajgurore dhe Tiranë, kanë goditur bankomate “on site”, të instaluara brenda objekteve bankare, duke mos hezituar të veprojnë edhe pse ato mbrohen me sistemin e alarmit, janë të vëzhguara nga telekamerat e degës së bankës dhe objekteve kufitare, si dhe mund të patrullohen nga grupet e gatshme të Shoqërive Private të Sigurisë Fizike të kontraktuara dhe nga ato të Policisë së Shtetit në rastet e aktivizimit të këtij sistemi.
Kjo është një kambanë e madhe alarmi që duhet të dëgjohet dhe tërheqë vëmendjen e administratorëve, strukturave të sigurisë në banka, agjencive ligjzbatuese. Hapi i parë dhe më kryesori është informimi dhe deklarimi i ngjarjeve, edhe kur ato mbeten në tentativë, në Komisariatet e Policisë së Shtetit, pasi ka raste që këto ngjarje nuk njoftohen me arsyen se dëmtohet imazhi dhe reputacioni i bankës. Kjo “harresë” për të njoftuar Policinë e Shtetit, përveçse është shkelje ligjore, pasi kemi të bëjmë me mosinformimin e një vepre krimi, nuk ndihmon në zbardhjen e ngjarjes, nuk ndihmon strukturat e policisë në zbulimin e teknikave të përdorura, kapjen e autorëve dhe reduktimin e kësaj tipologjie krimi.
Mbrojtja e ATM-ve, brenda dhe jashtë objekteve bankare, duhet të përcaktohet në rregullore dhe udhëzime të veçanta. Në këto makineri duhet të jetë kusht vendosja dhe funksionimi, instalimi i një sistemi bazik mbrojtje i kombinuar me masa fizike dhe elektronike i cili mund të përforcohet në varësi të nivelit të rrezikut që ajo paraqet.
Në rregulloren e Bankës së Shqipërisë, “Për kërkesat minimale të sigurisë, në ambientet në të cilat kryhen veprimtari bankare dhe financiare dhe për transportin e vlerave monetare” gjykoj se duhet të trajtohet në një kapitull, deri tani të munguar, detyrimi për sigurimin dhe mbrojtjen e ATM-ve, duke mos u mjaftuar me vëzhgimin e saj nëpërmjet telekamerave, si mënyrë e vetme mbrojtje e parashikuar në këtë rregullore. Historive komunitare se çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë duhet t’u vijë fundi, ngjarjet kriminale që ndodhin në sistemin bankar, një pjesë e të cilave importohet dhe avancohet, duhet të vënë në lëvizje strukturat drejtuese, ato të sigurisë, si dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë.
Ngjarja e rëndë në Istog, Kosovë, në ditët e fundit të ndërrimit të viteve ku gjatë grabitjes së një banke janë përdorur armët e zjarrit, duhet të na shqetësojë dhe të na vërë në lëvizje për rritjen e masave, nivelit dhe kujdesit në drejtim të sigurisë. Grabitësi, pasi ka marrë dy pengje në skenën e krimit, duke i përdorur si mburojë njerëzore për t’u larguar prej saj, ka qëlluar edhe ndaj forcave të policisë ku, për pasojë, është vrarë një efektiv i saj.
Qëllimi i gjithë makinerisë që trajton çështjet e sigurisë në vend, me aktorë shtetërorë dhe privatë, është dhe duhet të jetë mbrojtja e burimeve njerëzore, të cilët për arsye të punës që kryejnë në institucionet bankare dhe financiare, janë të ekspozuar dhe target i veprimeve të dhunshme të grupeve kriminale. Alternativa më e mirë mbrojtëse është marrja e masave parandaluese, të cilat në të gjitha rastet kanë kosto më të favorshme se pasojat.
*Ekspert i çështjeve të sigurisë/ Burimi: Monitor