Vrasja e shqiptarit nga Kosova që tronditi Anglinë, Flamur ‘Alex’ Beqiri, 36 vjeç, duket se ka marrë një rrjedhë tjetër pas daljes në skenë të detajeve të reja nga jeta e tij.
Daily Mail shkruan sot se Beqiri ishte i rrethuar nga miq me rekorde kriminale, disa prej të cilëve janë ekzekutuar e disa të tjerë ndodhen në burg.
Një ndër miqtë e afër të Beqirit ka rezultuar se është Naief Adawi, 33 vjeç, i cili në vitin 2008 ka qenë organizatori i një vjedhjeje në Danimarkë, me vlerë 7 milion paund, e konsideruar si vjedhja më e madhe në historinë e këtij shteti.
Së bashku me 20 bashkëpunëtorë të tjerë, 33 vjeçari ka organizuar dhe kryer këtë vjedhje, e për këtë është dënuar me 8 vite burg. Por në gusht të këtij viti, atij i është bërë pritë për ta ekzekutuar, ndërsa ishte së bashkë me partneren e tij, 31-vjeçaren Karolin Hakim, mjeke, e cila mbante në dorë fëmijën e tyre disa muajsh. Nga ky atentat, 31-vjeçarja ka mbetur e vdekur pas një plumbi në kokë, ndërsa ka shpëtuar foshnja dhe miku i Beqirit, Adawi.
Ndërkohë media britanike shkruan se Beqiri në 2008 ka qenë një ndër emrat më të kërkuar nga policia Suedeze pasi dyshohej si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale, ndërsa sulmin ndaj tij e cilësojnë si një “larje hesapesh”.
Beqiri prej disa vitesh kishte emigruar në Mbretërinë e Bashkuar me shpresën për një jetë të re dhe larg telasheve, siç shkruan Daily Mail, por për fat të keq është ekzekutuar mbrëmjen e Krishtlindjes, me më shumë se 10 plumba, në sy të bashkëshortes dhe fëmijës së tij.