Aktualitet Grabitja në aeroportin e Rinasit, SPAK kërkon 19 vite burg për Talo...

Grabitja në aeroportin e Rinasit, SPAK kërkon 19 vite burg për Talo Çelën

SPAK ka kërkuar 19 vite burg për Talo Çelën në lidhje me grabitjen në aeroportin e Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 Prill 2019.

Aktualisht Talo Çela ndodhet në kërkim nga autoritetet policore.

Kjo ishte edhe arsyeja pse çështja në ngarkim të tij u nda nga pjesa tjetër e të akuzuarve në lidhje me grabitjen e parave.

Talo Çela, që prej vitit 2019 rezulton të jetë personi më i kërkuar në Shqipëri. Ai është 53 vjeç me origjinë nga Elbasani.

Kujtojmë se për vjedhjen e 5.4 milionë eurove u gjetën fajtorë dhe janë dënuar me 122 vite burg në total 7 persona të tjerë. Mes tyre janë Kelment Çala, i konsideruar si një nga njerëzit kryesorë në organizimin dhe finalizimin e grabitjes si dhe vëllai i tij, Eldi Çala, respektivisht me 20 dhe 17 vjet burg.

Në ngjarjen në fjalë, disa nga të pandehurit u futën me një furgon brenda perimetrit të sigurisë së aeroportit, iu afruan një avioni dhe nën kërcënimin e armëve morën vlerën e konsiderueshme të parave.

Në largim, gjatë ndjekjes së policisë, në rrethana që ende nuk janë qartësuar nga hetuesit u vra një prej grabitësve Admir Murati, i konsideruar po ashtu një nga personat kyç në organizimin e grabitje.