Politika Grabitja në Rinas, Fevziu shtyn intervistën me Blushin. Kreu i LIBRA-s, akuza...

Grabitja në Rinas, Fevziu shtyn intervistën me Blushin. Kreu i LIBRA-s, akuza qeverisë

Sot në mbrëmje në emisionin Opinion të Blendi Fevziut ishte i ftuar Ben Blushi, por si pasojë e ngjarjes së sotme të vjedhjes së furgonave me para të bankave që po transportoheshin për në Rinas, kjo intervistë është shtyrë.

Nëpërmjet një statusi në Facebook Blushi mirëkupton shtyrjen e intervistës pasi vjedhjet e bankave, sipas ish-deputetit socialist, janë kthyer në “serial”.

Blushi gjithashtu ka akuzuar qeverinë se “ndihmon” vjedhjet e “thasëve të Republikës”.

Postimi i plotë i Ben Blushit në faqen e tij në Facebook:

“KUSH I MBRON BANKAT?

Miku im Blendi Fevziu më kërkoi ta shtynim intervistën e parashikuar sot në darkë, për shkak të vjedhjes së makinave të bankës. Natyrisht e mirëkuptoj.

Vjedhjet e bankave janë kthyer në serial. Shteti shikon dhe bashkëpunon,grabitësit ikin dhe e shikojnë policinë në televizor. Ja pse s’ka vende pune, besim dhe investime të huaja.

Se nuk ka kush i mbron! Një javë më parë thashë në Kuvend se Republika po bie. Sot kam edhe prova.

Thasët e Republikës sonë po vidhen me ndihmën e shtetit!”.