Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj gjashtë punonjësve të policisë private “Jaguar Security”, të arrestuar pas grabitjes së 2.7 milionë eurove në rrugën e Rinasit.
Organi i akuzës ka kërkuar caktimin e masës “arrest me burg pa afat” ndaj pesë policëve të arrestuar dhe drejtorit teknik të kompanisë së policisë private.
Ata akuzohen nga prokuroria se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre” me veprime dhe mosveprime që kanë sjellë si pasojë lejimin e grabitjes së 2.7 milionë eurove nga persona ende të paidentifikuar.
Faktet që kanë rënduar më shumë pesë efektivat e policisë private kanë qenë fikja me dashje e sistemit të kamerave të sigurisë, që ishin vendosur në dy automjetet e përshtatura për transportin e parave, shuarja e pajisjes së vetme GPS që ndodhej në makinën e parë dhe moskryerja e asnjë veprimi për kundërshtimin e autorëve të grabitjes, si dhe njoftimi me vonesë i policisë.
Për të gjitha këto veprime e mosveprime, prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” ndaj shtetasve Xhelil Metaj, 43 vjeç, Gentian Dedja, 31 vjeç, Perparim Logu, 39 vjeç, Endrit Daçi, 31 vjeç, Dashamir Balla, efektiva të policisë private.
Për të gjitha mangësitë e procedurës së lëvizjes së parave, por edhe për mungesën e kushteve në dy automjetet që nuk ishin të blinduara dhe mungesën e koordinimit me Policinë e Shtetit, është kërkuar masa “arrest me burg” edhe për shtetasin Fatmir Gapi, 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i shoqërisë së policisë private “Jaguar Security”.
HETIMI PËR BASHKËPUNËTORË
Një burim nga Prokuroria e Tiranës tha se ngjarja e ndodhur më datë 09.02.2017, rreth orës 13:24, në segmentin rrugor interurban Qafë- Kashari–Rinas është regjistruar në hetim për dy vepra penale. Ndaj policëve privatë dhe disa personave që janë në hetim nga “Jaguar Security” dhe banka BKT është regjistruar vepra “shpërdorim detyre”, ndërkohë që hetimi për kapjen e autorëve të grabitjes është regjistruar për veprën “grabitje me armë e bankave dhe arkave të sigurimit”. Krahas hetimit që po zhvillohet në lidhje me identifikimin e autorëve të krimit, grupi hetimor ka sekuestruar dokumentet pranë bankës private që iu vodhën paratë, BKT, dhe pranë zyrave të policisë private që iu hoq licenca.
Nga këto dokumente është zbardhur lista për dhjetë persona që kanë pasur dijeni për kohën e lëvizjes së parave dhe për shumën e vendosur në dy automjetet e përshtatura si të blinduara.
Kjo listë përbëhet nga punonjësit e bankës dhe të policisë private që ishin informuar për transfertën drejt Rinasit. Një burim jozyrtar nga hetimi tha se për këta persona janë kërkuar tabulatet telefonike për çdo thirrje apo mesazh që kanë kryer një ditë para grabitjes e deri tani. Ky veprim është bërë me qëllim gjetjen e ndonjë informatori të mundshëm të grabitësve, në rast se ka pasur të tillë. Grupi i hetimit ka dyshime se autorët kanë pasur informacion së paku për shumën e parave dhe kohën e lëvizjes së tyre drejt Rinasit.
AUTORËT
Gjatë dy ditëve të fundit, Policia Gjyqësore ka bërë sekuestrimin e materialeve filmike të regjistruara nga qytetarët në vendin ku ndodhi grabitja e datës 9 shkurt. Hetuesit kanë mbledhur edhe pamjet e publikuara nga media, si dhe kanë marrë në pyetje edhe efektivat e policisë private.
Nga të gjitha këto informacione të mbledhura, sipas Prokurorisë, dyshohet se grabitësit kanë qenë gjashtë persona që kanë marrë 8 thasë me 2.7 milionë euro në total. Autorët mendohet se, pasi kanë djegur dy makinat e përdorura në pritën ndaj rojeve private, kanë hipur në mjete të tjera krejt të ndryshme për t’u zhdukur, pa lënë asnjë gjurmë.