Edhe Gramoz Ruçi e pranon se në vitin 2016 kultivimi i hashashit në Shqipëri ishte në përmasa të konsiderueshme.
“Një nga gabimet ishte moszbatimi i dtyerave të organeve ligjzbatuese për të monitoruar territorin për kanabisin. Në çfarë mase u mboll? Kjo ha diskutim por që ishte aty, ishte aty”, tha Ruçi.
Në një intervistë të dhënë për emisionin “Top Story”në Top Channel ai mohon që janë përdorur paratë e drogës për zgjedhjet e 2015.
“Para të krimit ka pasur edhe në fushatat e tjera. Ka pasur edhe në këtë fushatë dhe në këtë këndvështrim duhet të reflektojmë në kodin e ri që ta ndalojmë”, – u shpreh ai.
Kryeparlamentari thotë se “nëse ministrit të brendshëm kjo gjë i doli nga kontrolli, atëherë ishte tepër vonë dhe çështja është që në 2017 masat që u morën ishin shumë të ashpra”.
Ruçi e quajti moszbatimin e ligjit dhe dështimin e strukturave ligjzbatuese për të parandaluar kultivimin e hashashit një gabim, ndërsa nuk komentoi çështjen “Tahiri”.
“Në raste të tilla, siç është çështja e zotit Tahiri, politika të heshtë derisa drejtësia të flasë. Ne duhet të mbajmë duart larg derisa drejtësia të shprehet për rastin konkret. Nuk bëj komente, qoftë nga pozicioni personal, as politik dhe aq më tepër si kryetar Kuvendit”, – deklaroi Ruçi.