Granit Xhaka është zgjedhur Futbollisti i Vitit në Zvicër. Kapiteni 30-vjeçar i kombëtares helvete u nderua me këtë çmim në Natën e Futbollit të Zvicrës, një ngjarje e organizuar nga Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) dhe Liga Zviceriane e Futbollit (SFL) në Casino Bern. Xhaka triumfoi në kategorinë kryesore “Lojtari kombëtar mashkull”.
Pas marrjes së këtij çmimi, futbollisti me origjinë shqiptare deklaroi se falënderimet u takojnë atyre që besuan tek ai, por jo vetëm: “Falënderoj edhe ata që nuk besuan tek unë, sepse më kanë shtyrë gjithmonë të kërkoj më shumë nga vetja”.
Xhaka dha një koment të shkurtër edhe për faktin që tani është lider i padiskutueshëm tek Arsenali:
“Tre vjet më parë isha në pikën më të ulët tek Arsenali dhe tani jam këtu, si lider. Çmimi do të thotë shumë për mua”.
Edhe në vitin 2017, Xhaçka u shpall Futbollisti i Vitit në Zvicër.