Greva e grave të naftëtarëve të Ballshit ka vijuar në ditën e nëntë të saj. Ato ndodhen brenda ambienteve të Uzinës, ndërsa mësohet se gjendja shëndetësore e tyre vjen dhe përkeqësohet.
Pavarësisht kësaj grevistet thonë se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre. Ato kanë përsëritur kërkesën e tyre ndaj qeverisë dhe kryeministri Edi Rama për të zgjidhur çështjen.
Ndërsa kryeministri Rama ka përsëritur thirrjen ndaj naftëtareve që të ndalojnë grevën në mënyrë që të vazhdojnë negociatat me qeverinë. Përmes një postimi në Twitter, Rama thotë se nuk ka negociata me presione dhe ultimatume në një familje.
Këtë gjë, kreu i qeverisë shprehet se do e përsërisë çdo ditë derisa të ndalet greva dhe palët të ulen për të diskutuar problematikat e tyre.
“Unë jo vetëm nuk po hesht por po përsëris çdo ditë: Ndalni grevën dhe ulemi diskutojmë për hallin tuaj! Nuk ka negociata me presione e me ultimatume në një familje, po ka qarje halli me logjikë e me zemër të hapur! E thjeshtë: Dilni nga greva dhe do vij unë vetë tek ju menjëherë”, shkruan Rama.
Naftëtarët kërkojnë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në rafinerinë e Ballshit. Ata prej disa ditësh janë futur në një grevë urie.