Tani Charli Chahine duhej që të kishte mirëpritur klientët e tij të parë të sezonit në resortin “Suites of the Gods” në Santorini të Greqisë.
Disa prej punonjësve të stafit të tij prej 30 vetash do të ishin duke servirur koktejle teksa klientët shijonin perëndimet e famshme të ishujve grek. Kështu hoteli i tij do të popullohej dita-ditës gjersa vera të vinte. Gjatë verës në Santorini numërohen rreth 2 milionë turistë.
“Situata tani është në zero, asnjë gjë nuk po lëviz. Si do të vijnë turistët këtu pa aeroplanë? Me nëndetëse?”, pyet Charlie. Rreth tij, ndërtesat e bardha të Firas, banesat kryesore të qytetit të japin idenë e një qyteti fantazmë.
Me turizmin e paralizuar nga pandemia e koronavirusit, Chahine e ka reduktuar stafin e tij në veçse tetë dhe frikësohet se sezoni do të jetë shumë më i keq se dhe 2015-a, kur Greqia ishte detyruar të mbyllte bankat e saj dhe të impononte kontrollin e kapitalit për të shmangur falimentimin.
“Si në këtë periudhë vitin e kaluar ne kishim më shumë se 12 kroçera dhe 15 anije të ndryshme që ndalonin pranë Santorinit. Tani ne shohim nga një anije çdo tre ditë”, shprehet ai duke parë përtej detit Egje.
Pandemia nuk kërcënon veçse të ardhurat e pozicionet e punës në Santorini por të gjithë Greqisë. Turizmi në Greqi përbën një të pestat e ekonomisë, duke e çuar kështu këtë shtet në ditët e zeza të krizës së eurozonës që ekziston një dekadë më parë.
Nëse turizmi goditet rëndë këtë vit, shumë ekonomistë shprehen se të ardhurat financiare të Greqisë të lindura prej viteve të masave shtrënguese të vëna nga BE-ja dhe paketave të shpëtimit nga ndërkombëtarët mund të fshihen.
“Këtë herë, shoku i pritur do të jetë shumë më i madh se goditje që kemi marrë në të shkuarën”, shprehet Nikos Maggins ekonomist i vjetër në Bankën Kombëtare të Greqisë.
Ekonomi në tkurrje, borxh i fryrë
Ekonomia parashikohet nga BE-ja të tkurret me 9.7% këtë vit, me 1% më shumë se 2011-a (i cili ka qenë viti më i keq në krizën e borxhit) si dhe papunësia projektohet të vete në 20% ashtu siç kishte qenë dy vite më parë. Ndërsa borxhi sovran i Greqisë pritet që të shkojë në 200% të GDP-së.
Ndonëse Greqia mban një prej statistikat më të mira në Europë përsa i përket menaxhimit të pandemisë me 2,678 raste dhe 148 vdekje, industria e turizmit mbahet shumë nga turistët e huaj e veçanërisht nga ata që vijnë nga Europa, ShBA-ja dhe Kina.
Por ka këndvështrime të përziera mbi masën e impaktit që do të pësojë ekonomia e Greqisë nga pandemia. Banka Qëndrore Europiane parashikon një tkurrje ekonomike nga 4.7% gjer në 8.9% për Greqinë por ndërkohë e ka siguruar vendin e helenëve se mund të vazhdojë të marrë borxh me interesa të përballueshëm.
“Mendoj se tkurrja ekonomike do të jetë e përkohshme pasi Europa po reagon”, shprehet guvernatori i Bankës së Greqisë Yannis Stournaras për Reuters. Banka Qëndrore Greke sheh një tkurrje prej 4% këtë vit dhe në skenarin më të keq maksimumi 8%.
Ndonëse parashikimet ekonomike variojnë shumë, të tërë bien dakort se suksesi apo dështimi i Greqisë varet shumë nga tërheqja e turistëve të huaj në brigjet e saj gjatë kësaj vere.
“Ne jemi si fermerët duke u lutur për shi, të dëshpëruar për pakëz aktivitet nga turistët që të na mbajë gjer në dimër”, shprehet Tasos Mylonas, 58 vjeç, pronari i një hoteli të vogël në Paros (një ishull i vogël në Cyclades). Të gjitha rezervimet e tij janë anulluar. “Gjer tani jam duke parë një zero të madhe dhe faturat vazhdojnë e më vijnë”, shton ai.
Mylonas së bashku me pjesën tjetër të industrisë së turizmit shpreson që izolimet në vendet e tjera të lehtësohen dhe të nisin fluturimet sa më herët.
Qeveria po fokuson gjithë përpjekjet e saj në tërheqjen e vizitorëve europianë dhe beson se suksesi i Greqisë në përmbajtjen e mirë të koronavirusit do të shërbejë si mbështetje në bërjen e vendit më të sigurt.
“Ky sezon nuk do të jetë si të shkuarit” shprehet ministri i turizmit Harry Theoharis për Reuters. “Do të isha një budalla nëse do të besoja të kundërtën”, shton ai.
Ai është shprehur se Athina po bën të pamundurën që gjithë rregullat e BE-së për t’i mbajtur turistët e sigurt nga kontaminimi i virusit të aplikohen sa më herët e me rigorozitet.
Turistët duhet të ndihen të sigurt kur shtrihen në plazhet e Greqisë dhe jo të jenë në merak nëse personi pranë tyre ka ardhur nga një vend me infeksion të lartë, sipas tij.
“Të jemi realistë, 2021-shi do të jetë një vit i rimëkëmbjes për ne. Por nuk do të jemi në gjendje të kapim nivelin e të ardhurave të 2019-s përpara 2023-shit”, shprehet Yannis Retsos drejtuesi i Konfederatës së Turizmit të Greqisë.
Nga 700,000 që kanë punuar në këtë sektor vitin e kaluar shumë prej tyre mbase kurrë nuk do t’i kenë punët e tyre përsëri.