Partia më e madhe opozitare greke, Demokracia e Re, ka reaguar ndaj asaj që e quan “deklarata provokuese dhe ofenduese të kryeministrit shqiptar Edi Rama”.
Në reagimin e saj, Partia Konservatore akuzon Ministrinë e Jashtme greke, që sipas Demokracisë së Re vazhdon të heshtë, 48 orë pasi janë bërë deklaratat.
“Vetëm pesë ditë pas negociatave të shumëreklamuara të Kretës dhe super optimizmit të Ministrisë së Jashtme greke, kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, ka bërë deklarata të reja provokuese dhe ofenduese për Greqinë.Duket se zoti Rama nuk ndan të njëjtin optimizëm me zotin Kotzias (Ministri i Jashtëm i Greqisë”, shënon Demokracia e re dhe shton:
“Pas 48 orë heshtjeje, a ka diçka për të thënë Ministria e Jashtme? A do të reagojë dhe nëse po, në ç’mënyrë?Gjithsesi, Demokracia e Re kishte paralajmëruar në kohën e duhur”, përfundon deklarata e nënshkruar nga shefi i Departamentit të Jashtëm të partisë më të madhe të opozitës, Jorgos Kumutsakos.
Pjesë nga deklaratat e kryeministrit shqiptar kanë publikuar dy prej gazetave opozitare greke, Proto Thema dhe Elefteros Typos.
Sipas tyre, Rama gjatë fjalës para Ambasadorëve shqiptarë të akredituar nëpër botë, me 19 nentor, ka deklaruar ndër të tjera.
“Shqipëria e kishte mësuar keq Greqinë dhe tashmë nuk do të heshtë për çështjet historike ndërmjet të dy vendeve”.
Gjithmonë sipas këtyre mediave greke, Rama ka theksuar se marrëdhëniet shqiptaro – greke duhet të zgjerohen e të forcohen, por kushti është kapërcimi i problemeve të mbetura pezull.
“Me këto probleme, nënkuptohet shfuqizimi i ligjit të luftës dhe çështja çame”, vë në dukje Eleftheros Typos.
Fjalën që kryeministri mbajti në takimin me ambasadorët, nuk rezulton të ketë referime ndaj Greqisë apo marrëdhënieve shqiptaro-greke. Të paktën po t’i besohet versionit të publikuar në portalin zyrtar të Kryeministrisë.
Ndërkaq, zoti Rama i ka bërë këto deklarata, por para një viti. Dhe kjo gjendet fare lehtë, duke bërë një kërkim në Google.
“Për një kohë të gjatë fqinjët tanë u mësuan “keq” që këtu në Tiranë të kishin bashkëbisedues të nënshtruar e të heshtur, që bënin sikur s’kuptonin kur ka qenë fjalë për çështje që s’mund të anashkaloheshin”, ka deklaruar ndër të tjera Rama, duke folur në samitin e Diasporës, më 19 nëntor 2016.