Në mënyrën më tragjike ka përfunduar historia e një 41-vjeçareje nga Shqipëria, që konsiderohej e zhdukur prej datës 1 janar të këtij viti.
Bëhet fjalë për Gjeorgjia Muratin, banore e lagjes Kalamaria të Selanikut, për të cilën bashkëshorti i saj ka deklaruar tek organet policore se nuk është kthyer në shtëpi mbrëmjen e parë të këtij viti pas punës.
Pas tre ditësh, në hetime dhe kërkime kanë marrë pjesë edhe efektivët e departamentit të krimeve të rënda dhe mbrëmjen e së hënës është gjetur trupi i saj pajetë në një baule në një zonë të Halkidhisë.
Gjeorgjia ishte nënë e një vajze 13 vjeç nga martesa e parë e saj, ndërsa ishte shtatzanë në muajin e tretë me bashkëshortin e ri. Ky i fundit kishte deklaruar në polici pas zhdukjes se ajo i kishte dërguar një mesazh ku i thoshte se kishte shkuar nga shtëpia e mamasë së saj, ndërsa kishte marrë me vete edhe një shumë prej 5000 eurosh.
Më vonë ka thënë se Gjeorgjia i kishte dërguar një mesazh edhe nënës së vet, ku i thoshte se ishte larguar pasi kishte disa çështje për të zgjidhur.
Burime policore bëjnë me dije se janë arrestuar dy persona, bashkëshorti i fundit i viktimës dhe një shoku i tij, i cili duket se ka pohuar se 41-vjeçaren e ka vrarë burri i saj duke mos ditur ende shkakun.