Greqia ka shpallur masa të reja për të luftuar pandeminë e koronavirusit, në një kohë kur infektimet e reja janë shtuar ndjeshëm si dhe shtrimet në spital. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis u shpreh se vaksinimi kundër koronavirusit do të bëhet i detyrueshëm për personat mbi 60 vjeç dhe i kërkoi nga kjo grupmoshë që të marrin dozën e parë brenda datës 16 janar.
Personat e pa vaksinuar mbi 60 vjeç në Greqi duhet të vaksinohen deri më 16 janar, në të kundërt do të gjobiten me 100 euro çdo muaj.
Vendimi u bë me dije nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Rreth 520 mijë njerëz mbi 60 vjeç ende nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës në Greqi.
Kryeministri Mitsotakis duke prezantuar vendimin e ri u shpreh se kjo masë nuk do të mirëpritet, por është një masë që do të shpëtojë jetë.
“Ne jemi duke i fokusuar përpjekjet në mbrojtjen e bashkëqytetarëve tanë dhe për këtë arsye vaksinimi i tyre do të jetë i detyrueshëm. Me këtë vendim politik jam i sigurt se do të shpëtojmë jetë njerëzore. Në të kundërt do të gjobiten çdo muaj me 100 euro dhe paratë do të mblidhen në një fond të veçantë për të financuar spitalet tona”, tha Mitsotakis.
Një gjobë prej 100 euro cilësohet një shumë e lartë kur pensioni mesatar mujor në Greqi është 730 euro.
Penalitetet janë pjesë e planeve të qeverisë për të nxitur sa më shumë vaksinimin i cili shihet një domosdoshmëri në periudhën e festave por edhe në kohën kur rreziku më i ri është mutacioni i coronavirusit Omicron.
Greqia ndalon personat e pa vaksinuar që të hyjnë në ambiente e brendshme, duke përfshirë restorantet, kinematë, muzetë dhe palestrat.
Rreth 63 për qind e popullsisë së Greqisë është plotësisht e vaksinuar, megjithëse javëve të fundit është raportuar për një rritje të të infektuarve.
Kryeministri shtoi se qeveria është “vënë në gatishmëri të lartë” për llojin e ri të COVID-19, Omicron i cili, u zbulua në Afrikën e Jugut dhe po përhapet shpejt në vendet evropiane.
Asnjë rast i variantit Omicron nuk është zbuluar ende në Greqi.
Nga nisja e pandemisë shteti fqinj ka regjistruar mbi 931 mijë të infektuar dhe 18 mijë viktima.