Greqia ka dërguar avion për të shuar zjarret në ishullin e Sazanit, aty ku prej 4 ditësh vijon beteja e zjarrfikësve me flakët.
Lajmi është konfirmuar nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili njofton se kërkesa për ndihmë u bë nga Shqipëria dhe vendi fqinj u përgjigj menjëherë.
“Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës sonë për të angazhuar sot, herët në mëngjes një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan. Ekspertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE për ndihmën e pakursyer në emergjenca të tilla dhe jo vetëm”, shkruan në rrjetet sociale ministri Peleshi.
Prej disa ditësh, dhjetra ushtarë dhe zjarrfikës janë angazhuar për të shuar zjarret në ishullin e Sazanit, një ishull i pabanuar dhe që nuk dihet arsyeja e rënies së flakëve.
Ndërhyrja nga terreni ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të zjarrit, por vatrat aktivizoheshin sërish. E për këtë arsye u vlerësua se ndërhyrja nga ajri do të jetë efikase.
Avioni Canadair CL-415 është projektuar posaçërisht për shuarjen e zjarrit nga ajri, por mund të kryejë edhe role të tjera të ndryshme, të tilla si kërkim-shpëtimi dhe transporti.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Greqi, pas një sërë kontaktesh falenderoi autoritetet atje për përgjigjen në kohë ndaj Shqipërisë.