Kryeministri grek Qiriakos Micotaqis synon të joshë pensionistë nga BE-ja me përfitime fiskale dhe shpreson se kjo i ofron vendit mundësi të mëdha.
Qeveria greke dëshiron të joshë pensionistët e vendeve veriore të BE-së të largohen nga veriu i ftohtë dhe të vendosen në jugun me diell të Evropës. Krahas klimës së butë në dimër Greqia pritet t’u ofrojë pensionistëve edhe përfitime fiskale. Pra pensionistët që e transferojnë vendbanimin e tij kryesor në Greqi përfitojnë lëshime nga taksat. Sipas një projektligji që miratoi kabineti grek javën e kaluar pensionistëve që vendosen në Greqi u duhet të paguajnë vetëm shtatë përqind tatim mbi të ardhurat pavarësisht nga shuma e tyre. Projektligji tani do të shkojë në Parlament, i cili mund ta miratojë atë brenda muajit korrik.
Tatimi prej vetëm shtatë përqindësh vlen madje jo vetëm për pensionin, por edhe për të ardhura të tjera që mund të kenë pensionistët, si nga ardhura prej qirave apo prej interesave bankare.
Nga BE-ja nuk pritet asnjë kundërshtim
Për të përfituar nga ky rregull pensionistët duhet të regjistrohen në zyrën e taksave në Greqi dhe të qëndrojnë në Greqi të paktën 183 ditë në vit. Autoritetet tatimore greke do të pranojnë aplikime për vitin fiskal 2020 deri më 30 shtator, kurse për vitet në vijim, periudha e aplikimit mbaron më 31 mars.
Autoritetet greke duhet të vendosin për aplikimet brenda 60 ditëve. Sipas burimeve greke kundërshtime nga vendet e tjera të BE-së, të cilat mund të humbnin të ardhura nga taksat nuk priten, sepse Portugalia, Italia, Malta dhe Qipro kanë rregulla të ngjashme.
Ekonomia e argjendtë
Kryeministri grek Micotaqis kishte theksuar që kur ishte drejtues i opozitës në mënyrë të përsëritur rëndësinë në rritje të së ashtuquajturës “ekonomi e argjendtë” – të ardhurat që mund të gjenerohen prej moshës së tretë. Sipas një vlerësimi të Euromonitorit, fuqia blerëse globale e mbi 60-vjeçarëve është aktualisht rreth 13.5 trilion euro. Me rastin e hapjes së sezonit turistik të këtij viti më 1 korrik, kryeministri grek foli përsëri për këtë temë: “E gjithë ekonomia e argjendtë i ofron vendit tonë mundësi të mëdha”./DW