Pas një dekade të humbur, për shkak të krizës ekonomike dhe më pas të pandemisë, Greqia duket se është përsëri gati për të marrë rolin e saj si fuqia udhëheqëse në Ballkan. Ky është një rol i mirëpritur nga shumica e vendeve të Ballkanit dhe Europës Juglindore, por një rol për të cilin Shqipëria duket mjaft skeptike.
Zyrtarët grekë gjetën kohë për t’u përfshirë në disa raunde të diplomacisë ballkanike këtë javë, duke ftuar pothuajse të gjithë udhëheqësit ballkanikë në një samit të madh në Athinë. Gjatë këtyre takimeve, kryeministri grek Qiriakos Mitsotaqis shprehu dedikimin e tij për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe për herë të parë në karrierën e tij politike deklaroi se ishte i gatshëm të ndihmonte në anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut. Diplomatët grekë thonë se kjo konferencë ishte pjesë e strategjisë së vendit fqinj për të rimarrë rolin kryesor në Ballkan.
Duke parë rritjen e influencës turke por edhe asaj ruse, gazeta greke “Ekathimerini” shkruan duke cituar burime diplomatike se influenca greke do të rikthehet përsëri në rajon, duke çuar përpara edhe flamurin e integrimit. Madje pas përfundimit të samitit në Athinë, Mitsotaqis deklaroi qëllimin e qeverisë së tij për t’u rikthyer në Ballkan, duke prezantuar nisma specifike për bashkëpunim në një varg fushash, nga korridoret e udhëtimit të sigurt dhe turistët ballkanikë, deri tek lidhjet energjetike midis shteteve, me portin verior grek e Alexandroupolis.
Edhe pse të gjithë krerët e tjerë të rajonit ndodheshin në Athinë, kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në këto bisedime. Shqipëria nuk dërgoi madje as përfaqësues nga ambasada e vendit tonë në Athinë, duke “bojkotuar” këtë samit. Për shumë vite, konferencat në Greqi sigurojnë një hyrje të pasme në diplomacinë europiane. Humori në takimet e njëpasnjëshme javën e kaluar në Athinë, midis kryeministrit grek dhe shumë homologëve të tij ballkanikë nga Sllovenia (e cila do të marrë presidencën e radhës të BE-së), Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, ishte tregues i strategjisë së vendin fqinj për ta tërhequr më pranë vetes.
Kryeministri Rama ka pasur siç mëson Gazeta Si, ftesë nga Athina zyrtare, por për arsye që nuk i ka bërë ende publike vendosi të qëndronte larg. Por a është ky një sinjal se Shqipëria nuk është e gatshme ta pranojë rolin udhëheqës të Greqisë?
Herën e fundit që kryeministri shqiptar është angazhuar publikisht me kryeministrin Mitsotaqis ka qenë për t’i ofruar të luajë rolin e negociatorit mes Athinës dhe Ankarasë duke e ftuar që bisedimet mes dy vendeve të mbahen në Tiranë. Ky propozim u mirëprit nga Turqia por u hodh poshtë nga Greqia, pasi siç shkruanin mediat greke në atë kohë, Tirana zyrtare shihet si një aleate e ngushte e presidentit Erdogan.
Nën kryeministrin Edi Rama, Shqipëria ka ndërtuar marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta me Turqinë, strategji që nuk është përqafuar nga Athina zyrtare, e cila edhe në vizitën e fundit të zotit Rama në Athina, akuzoi kryeministrin se u konsultua fillimisht me presidentin turk. Kryeministri shqiptar u takua në atë kohë me Erdogan në Stamboll dhe mësohet se i përcolli në Athinë “porosinë” e Presidentit turk për dialog.
Greqia ka akuzuar vazhdimisht Turqinë se ka “futur hundët” në marrëdhëniet dhe marrëveshjet dy-palëshe me Shqipërinë, duke e akuzuar se fundmi se po mundohet të ndalojë edhe arritjen e një pakti për ndarjen e detit mes Tiranës dhe Athinës.
Akuzat e rënda, të cilat e kanë vendosur vendin tonë mes dy zjarreve, u pasqyruan edhe në vizitën e fundit të kryediplomatit grek Niko Dendias në Tiranë, kur kërkoi që vendi ynë të dënonte ndërhyrjen turke dhe politikat e saj kufitare që po nxisnin në ato kohë radhë refugjatësh. Por kryeministri u përgjigj duke thënë se Shqipëria çmon marrëdhëniet me të dyja vendet, duke përshëndetur në fund të fjalës së tij në konferencë me Dendian në turqisht.
Megjithatë, tani që Greqia dhe Turqia pritet të konkurojnë për influencë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vendi ynë mund ta gjejë rrugën mes dy zjarreve. Dhe ndërkohë që Athina përballej me krizat e brendshme, Ankaraja zyrtare duket se ka lëvizur më përpara në këtë drejtim. Gjatë takimeve të javës së kaluar, Mitsotaqis u premtoi vendeve të rajonit ndihmën e Greqisë për anëtarësimin në unionin, sidomos Maqedonisë së Veriut, të cilën e mbështeti në kërkesën e saj për mos t’u ndarë nga Shqipëria për negociatat. Ministri Dendias doli me një deklaratë duke thënë se Greqia mbështeste mbajtjen e konferencë së parë ndër-qeveritare me Shkupin dhe Tiranën, por një vit më parë vendi fqinj ishte i fundit që dha dritën jeshile për hapjen e negociatave me vendin tonë, duke vendosur si kusht minoriten grek.
Ekspertët thonë se një nga arsyet përse angazhimi grek nuk mund të mirëpritet plotësisht në Ballkan ishin mosmarrëveshjet e trashëguara dhe përdorimi i politikës së zgjerimit të BE-së në një mjet të politikës së jashtme greke.
Profesori i politikave evropiane James Ker-Lindsay thotë se për aq kohë sa qeveria e re greke nuk i sheh fqinjët e saj si të barabartë dhe nuk i ndihmon pa i vënë kushte që i shërbejnë vetëm interesave të saj, nuk të ngjarë ta marrë kurrë rolin udhëheqës në rajon dhe do të vazhdojë t’i lërë terrenin e lirë Turqisë.
Sipas tij vendet e rajonit do të vazhdojnë të jenë skeptike për rolin e Greqisë nëse Athina zyrtare nuk zgjidh çështjet e hapura me Shqipërinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit.
“Duke qënë se nuk ka mban asnjë përgjegjësi politike për nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës, i cila i hap Athinën rrugën për t’u ri integruar në Ballkan, Mitsotaqis ka tanimë shansin për të rritur bashkëpunimin rajonal, ekonomik, politik me Ballkanin Perëndimor”, thotë Ker-Lindsay. “Megjithatë, kur flitet për marrjen e një roli udhëheqës, nuk mund të injorohet fakti që Greqia është palë në shumë prej mosmarrëveshjeve të pazgjidhura rajonale, si ajo e Kosovës, çështja e detit me Shqipërinë, apo problemet me Bullgarisë dhe ato për Kishën për Serbinë.
Eksperti thotë se për të rimarrë rolin udhëheqës në Ballkan, Greqia duhet fillimisht të njohë pavarësinë e Kosovës, e cila është një çështje e menjëhershme dhe më pas të punojë me palën shqiptare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
“Si vendi me diplomatikisht dhe ushtarakisht më i fuqishëm rajon, Greqia duhet ta përdorë ndikimin e saj tregtar dhe gjeostrategjik si një alternativë për vendet që ndodhen nën presion nga fuqi të tjera që shpesh përdorin fenë si mjet i tyre kryesor të ndikimit, dhe në disa raste detyrimi”, thotë nga ana tjetër analisti Alec Mally. “Roli i udhëheqjes së Greqisë në rajon ka mbështetjen aktive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Tani Greqia i ka bërë të qarta synimet e saj për t’u rikthyer në Ballkan, por klima politike nuk është ajo e 12 viteve më parë, ku vendi u trondit nga kriza ekonomike dhe braktisti strategjinë e tij si udhëheqëse e integrimit të Ballkanit Perëndimor.”
Mitsotaqis për momentin duket sikur po nga e ardhmja, duke deklaruar se Greqia është një vend i vogël por ka një rol për të luajtur në ndërtimin e Ballkanit të ri, duke shkëputur gradualisht nga një e kaluar e dhimbshme. Megjithatë, ai ishte dikur një nga kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës, duke i kërkuar ish-kryeministrit Aleksis Tsipras të vinte veton ndaj integrimit të Maqedonisë së Veriut.
Ai ka mbajtur po ashtu një qëndrim të ashpër edhe ndaj anëtarësimit të Shqipërisë, duke iu bashkuar disa herë vendeve skeptike si Franca dhe Holanda. Kjo duket ta ketë bërë të vështirë për Tiranën zyrtare ta besojë se vendi fqinj është gati të “kthejë faqe”.
Burimi: Gazeta “Si”