“Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka shprehur gatishmëri që Greqia të furnizojë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me vaksinën COVID-19 në mënyrë që të përshpejtojë procesin”. Kështu u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në një intervistë për Mia.mk.
“Mitsotakis shprehu gatishmëri që Greqia, si një anëtare e BE-së, të kërkojë që furnizimi i vaksinave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të kalojë përmes saj, sepse zakonisht, vaksinat i kalojnë fillimisht vendeve anëtarë të BE-së”.
Duke folur për tema të tjera të takimit të tij me Mitsotakis në Athinë dje, Zaev tha se ata kishin rënë dakord që të zhvillonin një sesion të dytë ndërqeveritar, mundësisht deri në fund të vitit dhe më pas të nënshkruanin një marrëveshje për të shmangur taksimin e dyfishtë.
“Ne mbajtëm seancën e parë në Shkup, me (ish-kryeministrin grek Alexis) Tsipras. Tani do të organizojmë të dytën në Athinë, ku duhet të nënshkruajmë një marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, i cili do të hapë një fushë të madhe për investime greke, për kompani shumëkombëshe me origjinë greke”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut.