Greqia do të ofrojë falas për qytetarët e vetë vaksinën anti-covid. Lajmi është konfirmuar nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili tha se shteti do të sigurojë vaksinën falas për qytetarët kur të jetë në dispozicion.
Jo vetëm kaq, por për vitin e ri shkollor qeveria do të ofrojë falas edhe maska për nxënësit dhe mësuesit.
“Vaksina do të jetë në dispozicion falas për të gjithë qytetarët grekë. Ende nuk e dimë nëse do të jetë një apo më shumë se një. Nuk e dimë as kur do të jetë në dispozicion. Shpresojmë sa më shpejt. Por, në momentin që do ta kemi në dispozicion, do të jetë falas për të gjithë qytetarët grekë”, theksoi Mitsotakis gjatë një takimi për masat ndaj koronavirusit.
Sa i përket hapjes së shkollave, Kryeministri grek bëri me dije se ky është një proces që po ndodh në të gjithë botën. Por u shpreh se shkollat do të hapen sipas të gjitha rregullave që rekomandojnë ekspertët për të minimizuar rrezikun e përhapjes së virusit.
Me detyrim do të jetë qëndrimi me maska i nxënësve gjatë orëve të mësimit. Maskat do të jenë falas, tha Mitsotakis, si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit.