Faza e dytë e hapjes së ekonomisë greke nisi sot, me rifillimin e funksionimit të kategorive të reja të shitjeve me pakicë dhe kthimin në punë të 225 000 punonjësve, ose 33% të totalit, puna e të cilëve ishte pezulluar.
Me valën e dytë të rihapjeve, do të rihapen gjithsej 93 000 biznese ose 35% e totalit.
Sipas zëvendësministrit të Zhvillimit dhe Investimeve, Nikos Papathanasis, sot do të kthehen në punë 155 962 punëtorë shtesë, përveç atyre që u rikthyen më 4 maj, ose 22,5% e totalit dhe 66 010 biznese të tjera, ose 25% e bizneseve të mbyllura.
Rihapja do të shoqërohet me rregulla dhe kufizime të rrepta, megjithatë, në dyqane deri në 20 metra katrorë do të lejohen katër persona.
Për çdo 10 metra katrorë shtesë do të lejohet një person shtesë, në ambiente deri në 100 metra katror dhe 12 persona plus një për 15 metra katrore shtesë, për ambiente që tejkalojnë 100 metra katrorë.
Në dyqanet me më shumë se një kat, lejohet një person për 10 metra katrorë për kat.