Në ishullin grek të Rodos, hotelierët po përgatiten për një sezon vendimtar turistik. Edhe pse sezoni nis zyrtarisht në 14 maj, të hënën, pavarësisht bllokimit, vendi hapi dyert për udhëtarët nga vendet e BE-së, SHBA, Britanisë së Madhe, Serbisë, Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët nuk do të duhet të karantinohen nëse janë vaksinuar apo kanë test negativ për Covid-19.
Rodos, sezoni turistik i të cilit shtrihet nga marsi në tetor, në një vit normal do të kishte filluar të hapte shezlongët dhe çadrat. Por tani restorantet e heshtura luksoze janë të vetmet që duken përgjatë vijës së gjatë bregdetare. Gjithashtu qytezat e mbushura plot me turistë, janë ende “në gjumë”, me dyqane, taverna dhe bare të mbyllura.
Shumë prej tyre kanë ulur qepenët që prej vitit 2020, kur vetëm 7.4 milionë turistë vizituan vendin, nga 3 1.3 milionë në 2019-n. ka shpresa se sezoni aktual do të jetë më i mirë.
“Kemi më shumë mjete e të dhëna në dispozicion. Kemi vaksinat dhe testet e shpejta dhe mendoj se mund të ofrojmë hospitalitet më të mirë e me standarde më të larta”, u shpreh George Hatzimarkos, guvernatori ishujve të Egjeut Jugor.
Vitin e kaluar u hapën vetëm gjysma e 650 hoteleve të Rodosit, me numrin e vizitorëve që u tkurr në 500 mijë nga 2.2 milionë. Deri më tani prenotimet janë të pakta, dhe kryesisht për periudhën gusht-tetor, megjithatë hotelierët parashikojnë një vit me prenotime të momenteve të fundit.