Herë pas here varrezat e hebrenjve dhe monumentet e Holokaustit përdhosen në Greqi. Kurse viktimat e dhunës raciste dhe ekstremiste të djathtë janë sot kryesisht refugjatë, antifashistë dhe aktivistë LGBT.
Mbi antisemitizmin në Greqi ekziston vetëm një studim dhe është bërë para gjashtë vjetësh nga organizata amerikane e të drejtave të njeriut Anti Defamation League (ADL). Rezultatet e tij tronditën thellësisht shoqërinë greke: 69 përqind e banorëve të këtij vendi anëtar të BE-së kanë paragjykime antisemitike.
Grekët mund të quhen kështu kampionë absolutë të antisemitizmit në Evropë, sepse në vitin 2014 paragjykime ndaj hebrenjve kishin mesatarisht “vetëm” 26 përqind e evropianëve. Për besueshmërinë e sondazhit të ADL-së ka dyshime – por meqenëse prej asaj kohe nuk është porositur asnjë studim i mëtejshëm, ende nuk dihet nëse numri i frikshëm është vërtetë real.
Një gjë është e sigurt: në Greqi nuk ka raste të njohura dhune ndaj hebrenjve. Rreth 5,000 anëtarët e grupeve të vogla të hebrejve që kanë mbetur në Greqi pas vrasjeve masive në Luftën e Dytë Botërore gjatë okupimit nga Gjermania naziste (1941-44), nuk kanë frikë nga sulmet. Madje në Janinë u zgjodh në vitin 2019 si kryetar bashkie Moisiu Elisaf, i cili është edhe kryebashkiaku i parë hebre i Greqisë.
Po ashtu në Greqi përkujtohet me dëshirë historia e Kryepeshkopit të Athinës, Damaskinos Papandreu (1891-1949), i cili u shpëtoi jetën mijëra nga 100,000 hebrenjtë grekë gjatë okupimit gjerman. Ndërkohë që njerëzit po me aq dëshirë edhe e harrojnë pasivitetin e grekëve gjatë dëbimit të hebrenjve të Selanikut: 95 përqind e afërsisht 53,000 qytetarëve hebrenj të qytetit më të madh hebre të Evropës, i njohur si “Jeruzalemi i dytë”, u vranë gjatë Holokaustit; pronat e tyre u vodhën nga kolaboratorët lokalë të nazistëve.
Gjithnjë e më shpesh grafite me përmbajtje naziste
Nga ana tjetër në Greqi po bëhen gjithnjë e më e zakonshme rastet e vandalizmit kundër varrezave hebreje dhe monumenteve të Holokaustit. Kohët e fundit u përdhosën – me mbishkrime antisemitike ose nacional-socialiste varrezat e hebrejve në Athinë dhe në ishullin e Rodosit dhe monumenti i Holokaustit në Selanik. Dhe kjo saktësisht një javë pasi drejtësia greke mori një vendim historik, novator: udhëheqja e partisë neo-naziste “Agimi i Artë” u dënua me burgime të gjata – dhe jo vetëm për krime nga vrasje dhe dëmtime trupore deri në armëmbajtje pa leje, edhe për shkak të formimit të një organizate kriminale.
Që nga ajo kohë askush në Greqi nuk lejohet të thotë “Unë nuk e dija”, sidomos jo 9.93 përqind ose 536,910 të elektoratit që votuan për Agimin e Artë në zgjedhjet Evropiane të 2014. Neo-nazistët janë kriminelë, tani me vulën e gjyqësorit grek. Në të njëjtën kohë, ata janë bartësit kryesorë të antisemitizmit dhe përdhosjet aktuale mund të shihen si një “akt solidariteti” nga mbështetësit e tyre.
21 përqind për neo-nazistët “e moderuar”
Neo-nazistët kanë në Greqi akoma mjaft mbështetës të mundshëm. Sondazhi i fundit i institutit “Prorata” për gazetën “Efimerida ton Syntakton” i 16 tetorit 2020 tregoi se 21 përqind e të pyeturve mendojnë se një Agim i Artë “i moderuar” do të ishte i dobishëm për vendin. Ky numër është edhe më i tmerrshëm, sepse u shfaq menjëherë pasi u dënua partia neo-naziste.
Kryetari i Komunitetit Hebre të Selanikut dhe Këshillit Qendror të Kongregacioneve Hebreje në Greqi, David Saltiel, është i sigurt se vendimi kundër Agimit të Artë nuk do ta zvogëlojë ideologjinë antisemitike në Greqi. Anti-semitizmi ekzistonte shumë kohë para se të themelohej partia neo-naziste – dhe ai do të vazhdojë të ekzistojë, sipas Saltiel. Ate e qetëson vetëm fakti që antisemitizmi grek, të paktën deri tani, nuk ka rezultuar me ndonjë vdekje si në vendet e tjera.
Në shënjestër të ekstremistëve të djathtë edhe aktivistët LGBT
Viktima të ekstremistëve të djathtë në Greqinë e shekullit 21 janë migrantët, antifashistët dhe aktivistët LGBT. Për vite me radhë, mbështetësit e Agimit të Artë kanë sulmuar refugjatë dhe janë duartrokitur nga “qytetarë të shqetësuar” dhe kanë ndeshur “mirëkuptim” nga shumë media dhe një autoritet shtetëror, që ishte i verbër nga syri i djathtë. Shumë politikanë të partisë konservatore në pushtet Nea Dimokratia (ND) e kanë bazuar karrierën e tyre në parulla kundër refugjatëve; parullat antisemite, nga ana tjetër, nuk janë të pranueshme nga shoqëria, të paktën për momentin.
Në shtator 2013 një mbështetës i Agimit të Artë goditi me thikë muzikantin antifashist të grupit hip-hop Pavlos Fyssas. Autori i krimit u dënua me burgim të përjetshëm në mes të tetorit 2020.
Më 21 tetor 2020 një proces tjetër i madh gjyqësor filloi në Athinë: gjyqi për vrasjen e Zak Zakie Costopoulos. Aktivisti LGBT u rrah për vdekje në mes të ditës në mes të Athinës dy vjet më parë. Nën akuzë janë një argjendar, një sekser dhe katër policë. Avokati i tyre është anëtari i parlamentit i partisë Nea Dimokratia, Athanasios Plevris, djali i një teoricieni të nacional-socializmit në Greqi./DW
Kaki Bali